Franca ka hedhur një hap të rëndësishëm drejt një reforme të thellë të hapësirës digjitale. Dhoma e Ulët e Parlamentit ka miratuar një projektligj që ndalon aksesin në rrjetet sociale për të miturit nën moshën 15 vjeç, me synimin për të mbrojtur shëndetin e tyre mendor dhe emocional. Masa ndjek shembullin e Australisë, e cila miratoi një rregullore të ngjashme në dhjetor të vitit 2025.
Projektligji, i mbështetur nga qeveria, u aprovua nga Asambleja Kombëtare me 130 vota pro dhe vetëm 21 kundër. Tani do t’i kalojë për shqyrtim Senatit. Nëse miratohet përfundimisht, Franca do të bëhej vendi i parë në Evropë që vendos një kufi të tillë moshe për përdorimin e rrjeteve sociale.
Presidenti Emmanuel Macron e ka cilësuar këtë vendim si një hap thelbësor për mbrojtjen e brezit të ri. Pas votimit në Asamblenë Kombëtare, kreu i Elizesë theksoi se qëllimi është që, deri në fillim të shtatorit, fëmijët dhe adoleshentët francezë të jenë realisht të mbrojtur. Ai nënvizoi gjithashtu se “truri i fëmijëve tanë nuk është në shitje, as për platformat amerikane dhe as për ato kineze”.





