Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se “një armatë masive” po shkon drejt Iranit, duke e paralajmëruar Teheranin se duhet të negociojë mes kërcënimeve për një sulm të mundshëm ushtarak amerikan ndaj vendit.
“Po lëviz shpejt, me fuqi, entuziazëm dhe qëllim të madh”, shkroi Trump në një postim në platformën e tij Truth Social pa dhënë detaje të mëtejshme mbi misionin e saj.
“Shpresojmë që Irani shpejt do të ‘ulet në tryezë’ dhe do të negociojë një marrëveshje të drejtë dhe të barabartë – pa armë bërthamore – një marrëveshje që është e mirë për të gjitha palët”, shtoi ai.
Uashingtoni ka zhvendosur në rajon anijen luftarake USS Abraham Lincoln dhe disa shkatërrues me raketa të telekomanduara, të cilët mund të përdoren për të nisur sulme nga deti.
Mbetet e paqartë se çfarë do të vendosë Trump në lidhje me përdorimin e forcës, megjithëse ai përcaktoi dy vija të kuqe – vrasjen e demonstruesve paqësorë dhe ekzekutimin e mundshëm masiv të të ndaluarve.
Vala e protestave në Iran, e cila shpërtheu më 28 dhjetor për shkak të rënies së monedhës rial dhe rritjes së kostos së jetesës, pa midis 6,000 dhe 30,000 të vrarë ndërsa autoritetet nisën një shtypje të përgjakshme të demonstratave, sipas organizatave jofitimprurëse dhe burimeve të tjera brenda Iranit.
Të mërkurën, Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut me seli në SHBA tha se të paktën 6,221 persona u vranë, përfshirë 5,858 protestues, 214 forca të lidhura me qeverinë, 100 fëmijë dhe 49 civilë që nuk po demonstronin. Më shumë se 42,300 janë arrestuar, shtoi ajo.
Numri i të vdekurve mbetet i pamundur të verifikohet dhe media shtetërore e Iranit mbetet burimi i vetëm i lajmeve për shumë njerëz, pasi Teherani ndërpreu aksesin në internet tre javë më parë.
Qeveria e Iranit e vlerësoi numrin e të vdekurve në një shifër shumë më të ulët, 3,117, duke thënë se 2,427 ishin civilë dhe forca sigurie, dhe i etiketoi pjesën tjetër si “terroristë”.
Në të kaluarën, autoritetet iraniane i kanë nënvlerësuar ose nuk i kanë raportuar viktimat nga trazirat. Ndërsa protestat janë ndalur për javë të tëra pas shtypjes, informacioni që po vjen ngadalë nga Irani nëpërmjet antenave satelitore Starlink po arrin tek aktivistët dhe mediat që përpiqen të numërojnë viktimat.
Numri i të vdekurve tejkalon atë të çdo raundi tjetër protestash ose trazirash në Iran në dekada dhe kujton kaosin që rrethoi Revolucionin Islamik të vitit 1979.





