Qeveria amerikane njoftoi të mërkurën se po vendoste masa të reja, veçanërisht kufizime vizash, për zyrtarët haitianë, përfshirë dy anëtarë të këshillit të tranzicionit presidencial, duke i akuzuar ata për mbështetjen e bandave që po shkatërrojnë ishullin e Karaibeve.

Departamenti i Shtetit tha se do të vendoste “një sërë kufizimesh të reja vizash për tre zyrtarë haitianë: dy anëtarë të këshillit të tranzicionit presidencial dhe një ministër qeveritar” në një deklaratë të lëshuar, pa zbuluar emrat e tyre.

“Veprimet e tyre u kanë lejuar bandave haitiane, disa prej të cilave janë përcaktuar si organizata të huaja terroriste, të destabilizojnë vendin”, thuhet në deklaratë.

Departamenti i Shtetit do të revokojë vizat e vlefshme që mbanin tre individët “dhe anëtarët e familjes së tyre të ngushtë”.

Sanksionet u njoftuan ndërsa SHBA-të, BE-ja dhe Kanadaja paralajmëruan këshillin kalimtar kundër çdo ndryshimi në udhëheqjen politike, të shqetësuara se kjo do të përshkallëzonte paqëndrueshmërinë politike mes operacioneve kundër bandave.

Haiti po përjeton trazira të reja politike, pasi pesë anëtarë të këshillit të tranzicionit presidencial shprehën qëllimin e tyre për të larguar kryeministrin Fils-Aime nga detyra, disa ditë para përfundimit zyrtar të mandatit të këtij organi, më 7 shkurt.

Vendi është pllakosur për vite të tëra nga dhuna e bandave, e cila fajësohet për vrasje, përdhunime, plaçkitje, rrëmbime për shpërblim dhe krime të tjera.