Kryeministri hungarez Viktor Orban ka deklaruar se Ukraina nuk mund të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, pasi një hap i tillë do të çonte në luftë të hapur në Evropë. Në një intervistë për radion shtetërore hungareze Radio Kossuth, Orban theksoi se Ukraina duhet të mbetet një “zonë tampon” mes Perëndimit dhe Rusisë.
Ai kujtoi se udhërrëfyesi i përgatitur në Bruksel dhe Kiev parashikon pranimin e Ukrainës në BE deri në vitin 2027 dhe se buxheti i ardhshëm shtatëvjeçar i Bashkimit Evropian po hartohet duke pasur parasysh këtë skenar.
“Por nëse Ukraina bëhet tani anëtare e Bashkimit Evropian, do të ketë luftë në Evropë, sepse është iluzion të mendohet se një shtet i BE-së mund të zhvillojë luftë kundër një fuqie të madhe, ndërsa të tjerët mbeten të painteresuar,” u shpreh Orban, duke shtuar se Hungaria e konsideron të papranueshëm pranimin e Ukrainës në BE.
Sipas tij, anëtarësimi i Ukrainës do të ishte “një rrugë drejt luftës dhe shkatërrimit të tregut evropian” dhe, në kundërshtim me pretendimet e disa vendeve, do ta dobësonte sigurinë e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, në vend që ta forconte atë.
“Ukraina nuk mund ta mbrojë Evropën nga Rusia. Ajo nuk po e forcon Evropën, por po e tërheq atë në luftë,” përfundoi kryeministri hungarez.





