Falë mbështetjes së Republikës së Bullgarisë dhe Ndihmës Bullgare për Zhvillim, në shkollën 9-vjeçare “Jusuf Puka” në Durrës po zbatohet prej pranverës së vitit 2025 projekti inovativ “Time 4 Rin-Act”, një nismë e gjelbër që synon të rrisë ndërgjegjësimin e të rinjve mbi Axhendën e Gjelbër dhe mbrojtjen e mjedisit.
Një nga risitë kryesore është instalimi i një impianti fotovoltaik, i cili arrin të mbulojë rreth 90% të nevojave të shkollës për energji elektrike, duke e kthyer atë në një model të shkollës së gjelbër në qytetin e Durrësit.

Në ambientet e këtij institucioni arsimor u zhvillua ceremonia e inaugurimit të impiantit fotovoltaik, në prani të Ambasadorit të Jashtëzakonshëm dhe Fuqiplotë të Republikës së Bullgarisë në Shqipëri, Ivaylo Kirov, përfaqësues të Bashkisë Durrës si dhe Zyrës Vendore Arsimore dhe drejtuesve të projektit.
Të pranishmit vlerësuan këtë investim si një hap konkret drejt përmirësimit të situatës mjedisore dhe edukimit të brezave të rinj me kulturën e qëndrueshmërisë.
Ky projekt, i realizuar nga shoqata “Udhëtim i Lirë – Liberi di Viaggiare”, ka në fokus fuqizimin e eco-clubit të shkollës dhe vënien në praktikë të njohurive përmes aktiviteteve konkrete në kopshtin didaktik.
M.B.





