Teuta vazhdon të mbe tet larg fitores, teksa as përballja e së martës ndaj Egnatias në kuadër të Kupës së Shqipërisë nuk solli ndryshimin e shumëpritur. Durrsakët u munden duke lënë edhe një herë shijen e hidhur. Teuta e nisi mirë duelin, duke treguar organizim dhe dëshirë në pjesën e parë, ku kishte kontrollin e lojës dhe krijoi disa raste të pastra shënimi. Megjithatë, siç ka ndodhur shpesh këtë sezon, Teuta u ndëshkua në momentin më delikat, duke pësuar gol në minutat shtesë, një goditje e fortë psikologjike për një ekip që prej javësh po vuan mungesën e rezultateve. Edhe në këtë përballje u pa një Teutë me oshilacione, ku avantazhi nuk shoqërohet me rezultat pozitiv.
Një skenar i ngjashëm me atë të ndeshjes ndaj Elbasanit, ku blutë treguan se kanë potencial, por jo vazhdimësi. Aktualisht, durrsakët janë në kuotën e 10 ndeshjeve radhazi pa fitore në kampionat, një seri negative që rëndon ndjeshëm jo vetëm renditjen, por mbi të gjitha gjendjen psikologjike të grupit. Natyrisht, një ecuri e tillë lë pasoja pasi presioni rritet nga java në javë, ndërsa çdo gabim paguhet shtrenjtë. Pavarësisht kësaj, brenda skuadrës duket se ka besim. Lojtarët vazhdojnë të mbështesin trajnerin, ndërsa stafi teknik ka besim te grupi dhe te puna që po bëhet çdo ditë. Megjithatë, futbolli nuk të fal dhe tani nuk ka më kohë për reflektime të gjata apo për të ulur kokën.
Kalendari – Në radhë është Bylisi, një duel i rëndësishëm për kampionat, ndoshta më i rëndësishmi i këtij momenti. Një ndeshje që duhet fituar me çdo kusht, jo vetëm për pikët, por për të rikthyer besimin, për të ngritur moralin dhe për t’i dhënë pak qetësi ambientit në klub. Fitorja ndaj ballshiotëve do të shërbente si një çlirim psikologjik dhe si një pikënisje për një kthesë të shumëpritur. Sigurisht, përballja nuk do të jetë aspak e lehtë. Kampionati ka treguar se nuk ka ndeshje të thjeshta dhe çdo kundërshtar lufton për objektivat e veta. Megjithatë, në Durrës janë të bindur se kjo është ndeshja ku Teuta duhet të reagojë.
Teuta ka nisur përgatitjet për duelin e fundjavës me një seancë stërvitore të ndarë sipas minutazhit. Lojtarët që zhvilluan 90 minuta ndaj Egnatias kryen një seancë rikuperuese, ndërsa pjesa tjetër e skuadrës u angazhua në një stërvitje normale. Lajmi i mirë për stafin teknik është rikthimi në grup i Dacit dhe Jurgens, pasi kanë lënë pas dëmtimet dhe pritet të jenë të gatshëm.
Në fakt, ndeshja me Bylisin është vetëm fillimi i një kalendari shumë të rëndësishëm për Teutën. Në tre javët e ardhshme, durrsakët do të përballen me tre ekipet e fundit të renditjes ku presin Bylisin, udhëtojnë drejt Tiranës dhe më pas presin Flamurtarin një cikël ky që mund të përcaktojë fatin e sezonit. Nëse Teuta arrin të marrë maksimumin e pikëve, 9 në total, situata do të ndryshojë rrënjësisht, jo vetëm në tabelë, por edhe në mentalitet, duke sjellë një tjetër qasje për vazhdimësinë e kampionatit. Në të kundërt, çdo hap fals do ta komplikonte edhe më shumë rrugëtimin e bluve. Tashmë gjithçka është në dorën e Teutës.





