Godina e Qendrës Kulturore të Fëmijëve Durrës gumëzhinte sot nga zërat e qindra nxënësve të shkollave 9-vjeçare të qytetit, pjesëmarrës në edicionin e XI të Festivalit të Ansambleve Popullore.

29 shkolla dhe mbi 1300 fëmijë janë bërë pjesë e fazës së parë të festivalit, ku të gjitha institucionet arsimore të ciklit 9-vjeçar publike dhe jo publike prezantojnë para jurisë së këtij festivali programin e pasur artistik, bazuar në këngët, vallet dhe lojërat popullore.

Drejtuesi i sektorit të artit pranë QKF-së, Arian Plaku, nënvizon se vit pas viti pjesëmarrja e shkollave dhe nxënësve ka regjistruar vetëm rritje.

Folklori është një asetet kulturore më të rëndësishme në historinë e një kombi. Për këtë arsye, ky aktivitet kulturor masiv, që prej 11 vitesh është kthyer në një traditë të bukur në Durrës shërben për të përcjellë dhe ruajtur tek brezi i ri traditën kulturore shqiptare, të trashëguar ndër breza.

Pas performancave të 4 ditëve, juria profesioniste do të përzgjedhë shkollat me performancën më të mirë, të cilat më pas do të garojnë mes tyre në finalen e këtij festivali, që do të mbahet më 26 shkurt.

M.B.