Derbi bregdetar mes Teutës dhe Flamurtarit u zhvillua në një atmosferë të zjarrtë në Durrës, ku një numër i madh tifozësh ishin të pranishëm për të ndjekur përballjen.

-Ndeshja nisi me ritëm të lartë dhe tensione në fushë. Pas një përplasjeje mes Boçit dhe Nunez, arbitri Xhaja ndërhyri duke i kërkuar qetësi lojtarit të Teutës: “Boçi qetë, qetë se do të marrësh karton”, u dëgjua ai nga fusha, duke paralajmëruar për disiplinë më të madhe.

-Në stol, dyshja Ribaj–Liçaj ishin të pranishëm dhe, sipas asaj që u përfol pas ndeshjes, tashmë duket se janë konfirmuar për të drejtuar ekipin deri në fund të sezonit.

-Momenti kulmor i takimit erdhi me golin e Kjejdi Daçit, i pari për të me fanellën e Teutës pas rikthimit. Sulmuesi festoi menjëherë duke përqafuar zëvendëstrajnerin Bledar Hodo, i cili, siç u pa, e kishte “ndjerë” golin e tij.

-Në fund të ndeshjes pati tensione në tribunë mes tifozërisë vendase dhe një grupimi nga Vlora për shkak të ofendimeve të njëpasnjëshme, por situata u stabilizua shpejt nga forcat policore.

-Nga ana tjetër, zhgënjimi ishte i dukshëm në kampin vlonjat. Nga stafi i Flamurtarit u dëgjua: “Na ikën tri pikët, more gjynah si i hamë ato gola… pu pu”, duke reflektuar hidhërimin për barazimin.