Sot, në 4 stadiume të vendit do të luhen ndeshjet e kthimit të çerekfinaleve të Kupës së Shqipërisë vijnë në një moment kritik të sezonit 2025-26, ku rruga drejt trofeut po ngushtohet dhe gabimet nuk falen më.
Situata në kampionat ka krijuar një ndarje të qartë midis klubeve që kërkojnë “Dopietën” dhe atyre që e shohin Kupën si gomomen e vetme të shpëtimit. Vllaznia e Shkodrës po marshon me një ritëm që nuk shihej prej vitesh, duke dominuar jo vetëm renditjen e Superiores, por edhe duke treguar një pjekuri taktike që e bën favorite kryesore. Për shkodranët, kalimi i Bylisit pas fitores minimale në ndeshjen e parë duket një detyrë shtëpie që duhet kryer me qetësi në “Loro Boriçi”.
Ndryshe paraqitet situata në kryeqytet, ku “ethet” e Kupës kanë mbërthyer Tiranën dhe Dinamon. Bardheblutë po kalojnë një nga krizat më të rënda të viteve të fundit, ku rreziku i mbetjes jashtë Europës është kthyer në një realitet, tashmë fika është për qëndrimin në kategorinë elitare të futbollit shqiptarë. Humbja 2-0 në ndeshjen e parë ndaj Dinamo City-t e ka vënë Tiranën me shpatulla pas murit. Sonte, blutë e kryeqytetit nisin si favoritë për të siguruar biletën gjysmëfinale, ndërsa për Tiranën kjo mund të jetë nata që vulos një sezon të dështuar ose pika e kthesës që askush nuk e pret.
Në krahun tjetër, dueli midis Partizanit dhe AF Elbasanit është padyshim një nga përballjet e forta të kësaj faze. Elbasani, si surpriza më e bukur e këtij edicioni, ka treguar se mund t’u hapë punë kujtdo, por Partizani vjen me avantazhin e një goli dhe me eksperiencën e nevojshme për të menaxhuar presionin e ndeshjeve te tilla. Ndërkohë, kampionët në fuqi të Egnatias, edhe pse me një sy nga mbrojtja e titullit kampion, nuk kanë ndërmend të lëshojnë fronin e Kupës, duke pritur Teutën në një përballje ku rrogozhinasit nisin me avantazhin psikologjik të fitores në Durrës. Kush do të arrijë të sigurojë një vend në katërshen e madhe? Përgjigjen do ta japë fusha, por një gjë është e sigurt: sonte, futbolli shqiptar do të dhurojë dramë, tension dhe emocion.






