Belinda Balluku, ish zëvendës kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë e shkarkuar pak ditë më parë nga detyra, pretendon se nuk ka asnjë lidhje me akuzat e ngritura ndaj saj nga Prokuroria e Posaçme.

Në daljen e parë publike pas shkarkimit nga kryeministri Edi Rama, teksa i kaloi detyrën ministrit të ri të Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, Balluku u shpreh se ndaj saj ka pasur të pavërteta dhe gënjeshtra.

Megjithëse është marrë zyrtarisht e pandehur për shkelje të barazisë në tenderin e tunelit të Llogarasë dhe nën hetim për procedura të tjera tenderuese, ish zëvendës kryeministrja thotë se nuk ka asnjë lidhje me korrupsionin, ndërsa pretendoi, përkundër faktit se SPAK ka prova, se nuk ka tentuar që të pengojë hetimet ndërsa ishte në postin e zv kryeministres dhe ministres.

Po ashtu, ajo pretendoi se nuk ka as 300 apartamente apo jahte, që sipas saj, sikurse është aluduar.

“Prokurorët duhet të bëjnë detyrën e tyre siç e kam bërë edhe unë. Dhe secili duhet të jetë i lirë për të vendosur e gjykuar pa qenë i ndikuar nga gjyqet publike, gjysmë të vërtetat, të pavërtetat apo nga gënjeshtrat. Nuk kam patur lidhje me korrupsionin dhe nxis që hetimi që ka nisur prej muajsh prej meje, dhe që se kam penguar kurrë as në pozicionin si ministër apo zv që të vijojë për të nxjerrë të vërtetën në sipërfaqe. Unë nuk jam as 300, 30 dhe as 3 apartamente. As një apo dy jahte as limuzinë, helikopterë e avionë por të gjitha këto janë pjesë e një gjyqi publik, që fatkeqësisht bëhet me lehtësinë më të madhe në këtë vend, por unë jam rritur me gjyqet publike. Ndoshta kurrizi ma mban më mirë se kujtdo tjetër gjyqin publik pasi jam kalitur që e vogël.”, u shpreh ajo.