Ministri i Financave, Petrit Malaj, zhvilloi një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj, dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Doganave, Besmir Beja, ku u dakordësua plani operacional për ngritjen e një Task Force të përbashkët mes dy institucioneve.
Kjo Task Forcë do të ketë në fokus rritjen e kontrollit dhe efikasitetit tatimor dhe doganor në sektorin e hidrokarbureve, si në tregtimin me shumicë ashtu edhe në atë me pakicë, në mënyrë që të shmangen rritjet abuzive të çmimit të tregtimit të karburanteve dhe duke mbrojtur kështu qytetarët shqiptarë.
Malaj theksoi se ky plan operacional vjen edhe në kontekstin e zhvillimeve të fundit ndërkombëtare, të cilat kanë ndikuar në çmimet e hidrokarbureve.
“Kemi marrë shkas për ngritjen e këtij grupi operacional nisur edhe nga konfikti më i fundit midis Iranit, SHBA-së dhe Izraelit, konflikt që ka ndikuar në çmimet e hidrokabureve. Çmimet do të jenë në monitorim nga këto dy institucione, në mënyrë që të mos kemi rritje abuzive të tyre në sektorin e tregtimit të hidrokrabureve me shumicë apo dhe me pakicë. Sot kemi dakordësuar se cilat do të jenë hapat që do të ndiqen nga këto dy institucione, duke filluar që nga vlerësimi me risk i operatorëve që operojnë në këtë sektor, por nga ana tjetër edhe duke marrë informacione nga tregu përsa i përket abuzimeve potenciale që mund të ndodhin. Kontrolli do të fokusohet jo vetëm në kontrollin e dokumentacionit doganor apo tatimor, por edhe në kontrollin fizik të sasive të hidrokarbureve që tregtohen nga pikat e tregtimit me shumicë dhe pakicë”, u shpreh Ministri.
Ministria e Financave, theksoi Malaj, mbetet e angazhuar për një miradministrim tatimor dhe doganor dhe gjithmonë në dobit të qytetarëve shqiptarë.
Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja, bëri të ditur se kontrollet do të shtrihen në gjithë territorin e vendit, bazuar në subjektet e identifikuara me risk.
Sipas tij, do të ngrihen grupe të përbashkëta kontrolli me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për të garantuar që aktiviteti i subjekteve të zhvillohet në përputhje me ligjin, si dhe që çdo shitje të jetë e regjistruar fiskalisht dhe karburanti i tregtuar të përmbushë të gjitha detyrimet doganore dhe tatimore.
Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, u shpreh se institucionet kanë koordinuar planin operacional dhe kanë nisur analizën e riskut.
Ai theksoi se eksperiencat nga operacionet e mëparshme kanë ndihmuar në identifikimin e problematikave konkrete në këtë sektor, ndërsa objektivi është që operacioni të shtrihet në një periudhë gjatë kohore, me qëllim rritjen e formalizimit dhe garantimin e funksionimit të rregullt të tregut të hidrokarbureve.






