Dy persona kanë humbur jetën pas një shpërthimi të meningjitit në zonën e Canterbury-t në Mbretërinë e Bashkuar, mes tyre edhe një student i Universitetit të Kentit, ndërsa disa të rinj të tjerë janë shtruar në spital në gjendje të rëndë.
Sipas raportimeve të BBC, edhe 11 persona të tjerë nga zona e Canterbury-t janë aktualisht të shtruar në spital dhe raportohet se janë të sëmurë rëndë.
Shumica e tyre besohet të jenë të moshës 18 deri në 21 vjeç dhe një pjesë janë studentë të universitetit.
Të dy personat që kanë vdekur nga forma “invazive” e meningjitit mendohet të kenë qenë në të njëjtën grupmoshë. Një zëdhënës i Universitetit të Kentit konfirmoi se njëri prej viktimave ishte student i këtij institucioni.
Më shumë se 30 mijë studentë, anëtarë të stafit dhe familjarë të tyre po kontaktohen nga UK Health Security Agency (UKHSA) për t’u informuar mbi situatën dhe për të marrë udhëzimet e nevojshme.
Zyrtarët e UKHSA-së kanë njoftuar se po organizojnë shpërndarjen e antibiotikëve për disa studentë në zonën e Canterbury-t pas shpërthimit, ndërsa lloji specifik i bakterit që ka shkaktuar infeksionin ende nuk është identifikuar.





