Një ngjarje tragjike ndodhi mbrëmjen e së enjtes në Piacenza të Italisë, ku një vajzë 20-vjeçare shqiptare, Anxhela Byku, humbi jetën pas një rënieje nga ballkoni i banesës ku jetonte me bashkëshortin e saj.

Shërbimet e emergjencës dhe karabinierët mbërritën menjëherë në vendngjarje pas alarmit të dhënë nga bashkëshorti, i cili e gjeti të shtrirë në oborrin e brendshëm të pallatit.

Përplasja me tokën, nga një lartësi rreth 10 metrash, i shkaktoi dëmtime të rënda në kokë, që rezultuan fatale.

Karabinierët kryen rindërtimin e ngjarjes dhe inspektime të hollësishme në apartament dhe ambientet përreth. Hetuesit përjashtuan përfshirjen e palëve të treta, dhe besohet se shkaku i rënies ishte aksident.

E rëndë në Itali/ Tentoi të hynte brenda shtëpisë

Sipas hetimeve, Anxhela kishte mbetur jashtë apartamentit dhe në përpjekje për t’u kthyer brenda përmes ballkonit, humbi ekuilibrin dhe ra.

Familjarët e saj, përfshirë nënën dhe motrën, kanë mbërritur nga Shqipëria për të qëndruar pranë të afërmve dhe për të përballuar këtë humbje të rëndë.