Ngjarje e rëndë në Greqi. Mëngjesin e sotëm, dy gra janë gjetur të pajeta brenda një apartamenti në Zografou të Athinës. Dy gratë, nënë dhe bijë, ishin në faza të avancuara të dekompozimit, ndërsa djali i familjes, i cili ndodhej gjithashtu në apartament, është arrestuar dhe po merret në pyetje në lidhje me rastin. Zbulimi makabër u bë pas ankesave të bëra të enjten e kaluar nga të afërmit e dy grave në Stacionin e Policisë së Zografou.
Sipas këtyre ankesave për gratë që kishin qenë të zhdukura prej muajsh, ekzistonte frika se djali i familjes mund t’i kishte dëmtuar ato. Të shtunën, oficerët e policisë shkuan në apartamentin e treguar nga të afërmit e dy grave, por askush nuk e hapi derën.
Megjithatë, të dielën pasdite, djali i familjes hapi derën dhe fillimisht nuk i la policinë të hynte në apartament, por më pas u tha atyre se dy gratë jetonin në një shtëpi në një rrugë tjetër. Megjithatë, kur oficerët e policisë shkuan atje, zbuluan se ajo që u kishte thënë burri ishte e rreme dhe u kthyen në apartamentin që u ishte treguar fillimisht nga të afërmit e dy grave.
Pas kontrollit të apartamentit, të gjitha dhomat ishin në gjendje normale, përveç një dhome, dera e së cilës ishte e vulosur me stuko.
Pasi prokurori u informua dhe dha lejen përkatëse, oficerët e policisë hynë në dhomën e vulosur ku zbuluan trupat e dy grave në dekompozim të avancuar. Pas këtij zbulimi, djali i familjes u u mor në pyetje dhe ndodhet në polici.





