Në prag të sfidës së fundjavës ndaj Vorës, mbrojtësi i Teutës, Vasili Zhongo, flet për gjendjen e ekipit, përgatitjet dhe objektivat në këtë transfertë të rëndësishme.

Si po shkojnë përgatitjet e ekipit për ndeshjen e së dielës?

Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë. Kemi punuar me intensitet gjatë gjithë javës dhe stafi teknik ka insistuar te detajet, sidomos në fazën mbrojtëse dhe tranzicionet. Ekipi është i fokusuar dhe gati për këtë sfidë.

Çfarë prisni nga ndeshja ndaj Vorës?

Do të jetë një ndeshje e vështirë, sepse Vora është një skuadër që lufton shumë në fushën e saj. Ne e dimë që duhet të japim maksimumin në çdo moment për të marrë rezultat pozitiv.

Si e vlerësoni kundërshtarin?

Është një ekip i organizuar dhe agresiv në duele. Kanë lojtarë që mund të bëjnë diferencën, ndaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm dhe të mos i lëmë hapësira.

Çelësi i suksesit për Teutën në këtë ndeshje?

Disiplina taktike dhe përqendrimi. Nëse zbatojmë detyrat siç duhet dhe jemi të bashkuar si ekip, kemi shanse të mira për të dalë me rezultat pozitiv.

Si është gjendja e grupit në prag të kësaj sfide?

Grupi është në gjendje të mirë, si fizikisht ashtu edhe psikologjikisht. Ka një frymë shumë të mirë brenda skuadrës dhe kjo na jep besim.