Në një moment të rëndësishëm të sezonit, mesfushori i Teutës, Ergis Arifi, flet për formën e skuadrës, eksperiencën e fundit me Shqipërinë U21 në miqësoren ndaj Uzbekistanit U21. Lojtari ceku edhe përballjen e radhës në kampionat ndaj Vorës. Arifi tregon besimin te grupi dhe objektivat për të marrë maksimumin në ndeshjet vendimtare.

Ergis, si po e vlerëson sezonin tënd deri në këtë pikë me Teutën?

Deri tani ka qenë një sezon me shumë sfida, por edhe me momente pozitive. Personalisht jam përpjekur të jap maksimumin në çdo ndeshje dhe të ndihmoj skuadrën sa më shumë. Gjithmonë ka vend për përmirësim dhe po punoj fort për të qenë në nivel edhe më të lartë.

Skuadra ka kaluar disa momente të vështira. Si është gjendja aktuale e ekipit?

Është e vërtetë që kemi pasur ulje-ngritje, por skuadra është e bashkuar dhe e motivuar. Po punojmë shumë në stërvitje për të korrigjuar gabimet dhe besoj se në ndeshjet e ardhshme do të shfaqim një nivel më të mirë.

Së fundmi u zhvillua një miqësore me Shqipërinë U21 ndaj Uzbekistanit U21. Si e përjetove këtë eksperiencë?

Ishte një eksperiencë shumë e mirë dhe e rëndësishme për mua. Ndeshje të tilla ndërkombëtare të ndihmojnë të fitosh eksperiencë, të përballesh me stile të ndryshme loje dhe të rritesh si futbollist. Jam shumë i lumtur që pata mundësinë të jem pjesë e saj.

Sa ndikon kjo eksperiencë me kombëtaren në performancën tënde me klubin?

Ndikon shumë pozitivisht. Kur kthehesh nga kombëtarja, vjen me më shumë besim dhe eksperiencë. Mundohem ta sjell këtë energji edhe te Teuta dhe të ndihmoj skuadrën në çdo ndeshje.

Të dielën përballeni me Vorën. Si po përgatiteni për këtë duel?

Po e përgatisim ndeshjen me shumë seriozitet. E dimë që do të jetë një përballje e vështirë, por jemi të fokusuar dhe të vendosur për të marrë një rezultat pozitiv.

Çfarë pret nga kjo ndeshje dhe ku mendon se është diferenca?

Mendoj se diferenca do të bëhet te përqendrimi dhe dëshira për fitore. Kush gabon më pak dhe shfrytëzon më mirë rastet, do të dalë fitues.