Shkrimtari i njohur, Kim Mehmeti, i ka dalë në mbrojtje studentëve shqiptarë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilët pritet të protestojnë nesër pasi kërkojnë që Provimin e Jurispodencës ta mbajnë në gjuhën shqipe.
“Të shesësh gjuhën, është si të bësh tregti me shpirtin kombëtar”, nis reagimin Mehmeti, ndërsa thotë se studentët do të protestojnë edhe kundër prindërve të tyre, të cilët gjatë tri dekadave të shkuara nuk ia dolën ta mbrojnë gjuhën shqipe, gjuhën pa të cilën nuk do mund të mbijetonin si popull dhe do të tjetërsoheshim”.
“Dhe për tri dekada me radhë, çdo katër vjet, BDI-ja e “zyrtarizonte” gjuhën shqipe, por pa mundur që popullit të vet t’ia rikthente as të drejtat e trashëguara nga dekadat socialiste, siç ishte, për shembull, përmendja e shqiptarëve në pjesën normative të Kushtetutës së Maqedonisë si popull shtetformues.
Ndërkohë, prej vitesh, funksionarët e VLEN-it dhe lloj-lloj këshilltarët të dalë nga qeveritë e shkuara antishqiptare nuk po arrijnë t’ua mbrojnë shqiptarëve as pozitën që kishin gjatë qeverisjes së BDI-së, duke u arsyetuar me paaftësinë e paraardhësve të tyre.
Pra, VLEN-i, që flet shqip e mendon maqedonisht, e mbulon veten duke e sharë BDI-në për gabimet e saj, ndërsa BDI-ja, e cila synon të rikthehet sërish në qeveri, e sulmon VLEN-in për mosveprim.
Shqiptarët, pra, e shajnë njëri-tjetrin, sepse nuk guxojnë të thonë asgjë kundër sunduesit maqedonas: ata në opozitë shpresojnë se këta do t’i marrin në qeveri, ndërsa këta të VLEN-it kanë frikë mos dëbohen nga kabinetet ministrore. Të ndodhur mes vasalëve të djeshëm që nuk bënë gjë dhe klithjeve të sotme që nuk premtojnë asgjë, shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut u mbetet të shpresojnë se studentët që do të protestojnë nesër nuk janë pa kurriz si prindërit e tyre, të cilët gjithçka që kishin shqiptarët e lanë në duart e politikanëve pa kurajë dhe pa dinjitet”-shton Mehmeti.





