Kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis propozoi të hënën që ministrat të ndalohen të shërbejnë njëkohësisht si deputetë pas zgjedhjeve të vitit 2027, mes hetimit evropian mbi mashtrimin e subvencioneve bujqësore të BE-së që ka ushtruar presion të konsiderueshëm mbi qeverinë e tij konservatore.
Propozimi i tij vjen pasi dy ministra dhe një zëvendës ministër dhanë dorëheqjen të premten, duke shkaktuar një riorganizim të kabinetit, pasi Zyra e Prokurorit Publik Europian (EPPO) kërkoi heqjen e imunitetit për 11 deputetë.
“Është e qartë se jo të gjitha çështjet kanë të njëjtën peshë. Megjithatë, një gjë është e sigurt: asnjë nga deputetët tanë nuk akuzohet për përfitim financiar.”, tha ai.
Mitsotakis i kërkoi Zyrës së Prokurorit Publik Evropian (EPPO) që “të vazhdojë me shpejtësi me të gjitha veprimet hetimore pas heqjes së imunitetit të deputetëve tanë dhe të vendosë se sa dhe cilët individë synon të ndjekë penalisht.”
“Po flasim për deputetët tanë që tashmë kanë pësuar dëme personale dhe politike. Prandaj, ata kanë të drejtën minimale për të mbrojtur veten.” shtoi ai.
Por partia kryesore opozitare PASOK kritikoi ashpër propozimin e Mitsotakis, ndërsa bëri thirrje për zgjedhje të parakohshme.
Zëdhënësi i PASOK-ut, Kostas Tsoukalas, tha se iniciativa ishte e motivuar politikisht dhe nuk arriti të adresonte shqetësimet më të gjera në lidhje me qeverisjen dhe llogaridhënien mbi keqpërdorimin e supozuar të subvencioneve bujqësore të BE.
“E vetmja mënyrë që vendi të rimëkëmbet dhe shoqëria të marrë frymë është përmes zgjedhjeve”, tha ai.





