Dita Ndërkombëtare e Monumenteve e ka gjetur qytetin e Durrësit pa dy muze të rëndësishëm, të cilët janë pjesë e trashëgimisë së pasur kulturore të qytetit 3000-vjeçar.
Këtë 18 prill, Muzeu Arkeologjik Kombëtar dhe Muzeu Etnografik janë të mbyllur për turistët e huaj, por edhe për vizitorët vendas.
Muzeu Etnografik qëndron i mbyllur që prej nëntorit të vitit 2019, si pasojë e dëmtimeve që godina dykatëshe me çardak mori gjatë tërmetit, ndërsa Muzeu Arkeologjik qëndron i mbyllur që prej fund shtatorit 2022.
Të dy muzetë janë nënshtruar rikonstruksionit falë programit EU4Culture dhe, pavarësisht se disa herë autoritetet kanë deklaruar afate për rivënien e tyre në funksion, kjo gjë nuk ka ndodhur ende realisht.
Në një kohë që qyteti bregdetar vizitohet në çdo stinë të vitit nga turistë të huaj, këta të fundit largohen pa pasur një panoramë të plotë të të gjithë potencialit të trashëgimisë kulturore të qytetit bregdetar.
Për shkak të dyerve të mbyllura të këtyre dy muzeve, vizitat e grupeve turistike nëpër sitet e trashëgimisë kulturore përqendrohen tek Torra Veneciane, Amfiteatri, Forumi Bizantin, Hamami, etj.
Edhe në këtë ditë dedikuar monumenteve, Ministria e Kulturës ende nuk ka një datë konkrete për hapjen e dy muzeve të Durrësit.
Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe Siteve shënohet çdo vit më 18 prill dhe synon të rrisë ndërgjegjësimin për rëndësinë e trashëgimisë kulturore, si dhe nevojën për ruajtjen dhe mbrojtjen e saj në mbarë botën.





