Nga BUJAR QESJA

Një qytet në heshtje, një emër në përjetësi

Ka ditë kur qytetet nuk flasin. Kur rrugët duken më të gjata, kur deti sikur hesht dhe era nuk sjell zhurmë, por kujtime. Sot është një nga ato ditë për Durrësin. Një ditë e rëndë, një ditë që mbart dhimbje, por edhe një krenari të thellë që nuk shuhet.

Ju dha lamtumirën një njeriu, që nuk ishte vetëm sportist. Nuk ishte vetëm kampion. Ishte një simbol. Një shtyllë e fortë, e një kohe që ndërtoi karaktere dhe nxori burra, që nuk maten vetëm me rezultate, por me mënyrën si jetuan.

Esat Kryeziu u nda nga jeta, pak ditë para se të mbushte 90-të vjeç. Jetë e gjatë, por për ne duket sikur u nda herët. Sepse njerëz të tillë, nuk plaken në kujtesë. Ata mbeten gjithmonë në kulmin e tyre, në atë moment kur shtiza fluturon dhe turma mban frymën.

Esat Kryeziu “Mjeshtër i Madh”, “Nder i Atletikës Shqiptare”, kampion i padiskutueshëm për vite me radhë. Por mbi të gjitha, mbeti një qytetar i madh. Një njeri që e ndërtoi jetën me djersë, me punë, me ndershmëri dhe me një dashuri të pashoqe për sportin.

Nuk përcjellim vetëm një kampion, por një kohë të artë të atletikës.

Një histori që fillon larg, në tokën e Kosovës, kalon në Ballaj të Kavajës dhe lulëzon në Durrës, qytetin që bëri krenar. Në kohën kur sporti nuk kishte kushte, kur mungonin mjetet, kur gjithçka ndërtohej me vullnet, Esati u bë kampion. Dhe kjo e bën edhe më të madh.

Nga rrënjët kosovare tek identiteti durrsak

Historia e Esat Kryeziut, është historia e një familjeje që lëvizi për një jetë më të mirë. I ati, Veli Kryeziu, nga rrethinat e Gjilanit, u vendos në Ballaj të Kavajës, duke sjellë me vete traditën, karakterin dhe qëndresën e tokës kosovare. Në vitin 1948, Esati 12-të vjeçar mbërrin në Durrës. Një djalë i ri, me sy plot kureshtje dhe me një trup që premtonte shumë, por ende pa e ditur drejtimin që do të merrte jeta e tij.

Jetoi në zonën e plazhit, në një qytet që në atë kohë ishte në zhvillim, por që kishte një energji të veçantë. Durrësi u bë shtëpia e tij e dytë dhe më pas vendi, ku do të shkruante historinë.

Punoi fillimisht në kombinatin e tekstileve, më pas në Bazën Mekanike të Hekurudhës. Mes zhurmës së lokomotivave me avull, mes hekurit dhe punës së rëndë, u formua jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht. Nuk erdhi nga palestrat moderne, por nga puna. Nga mundi. Nga përditshmëria që e kaliti.

Një talent që shpërtheu pa paralajmërim

Spartakiada Kombëtare e vitit 1959, mbetet një moment kyç. Pa stërvitje, pa përgatitje specifike, pa përvojë, por vetëm me dëshirë dhe forcë natyrore, Esati arrin vendin e tretë. Kjo nuk ishte rastësi. Ishte sinjali i parë i një potenciali të jashtëzakonshëm.

Trajneri Idriz Çinari e kuptoi menjëherë se kishte përpara një atlet të rrallë, që kërkonte punë, disiplinë dhe përkushtim. Dhe Esati i gëzonte të gjitha. Provoi disa disiplina, gjyle, disk, trehapësh. Por shtiza ishte ajo që i përkiste. Aty gjeti veten. Aty u bë historik.

Dominim, rekorde dhe emër që nuk zëvendësohet

Nga viti 1964 deri në vitin 1974, emri i Esat Kryeziut ishte sinonim i fitores. Nuk ishte thjeshtë kampion, por krijoi standard. Dhjetë vite radhazi në vendin e parë. Një dominim që nuk vjen rastësisht. Theu 12 rekorde kombëtare. Nga 55 metra e çoi shtizën në 64 metra. Çdo rekord ishte betejë me veten, sfidë për të kaluar kufijtë personalë.

Më të veçantë e bën fakti, se këto arritje erdhën në kushte të vështira. Me mjete jo cilësore, me mungesë metodike stërvitjeje, me pak mbështetje shkencore. Në vitin 1972, specialistët kinezë që vizituan Shqipërinë mbetën të habitur nga talenti i tij. Ata panë një atlet të lindur për nivele botërore, por të trajnuar në mënyrë jo të plotë.

Fjalët e tyre mbeten të forta edhe sot:

“Nëse këto do të ishin bërë në fillim, do të ishte një kampion i madh botëror.”

Por kjo nuk e zvogëlon madhështinë e tij. Përkundrazi, e rrit. Sepse arriti majat me atë që kishte. Dhe kjo është madhështia e vërtetë.

Kur talenti njihet nga të mëdhenjtë

Rruf Kazazi, një nga figurat më të mëdha të atletikës durrsake, e pa menjëherë potencialin. Nuk pa vetëm atë që ishte, por atë që mund të bëhej. Me punë të përbashkët, me përkushtim dhe me disiplinë, Esati filloi të shpërthente.

Rekordet nisën të binin njëra pas tjetrës. Durrësi filloi të fliste për të. Shqipëria filloi ta njihte. Nuk mbeti më një punëtor që merrej me sport, por sportist që përfaqësonte një qytet dhe një vend.

Familja, vlerat dhe trashëgimia njerëzore

Pas çdo kampioni qëndron një njeri. Dhe Esati ishte një njeri i madh. Ndërtoi një familje të bukur me bashkëshorten Vera Spahiu. Familje e thjeshtë, por e mbushur me dashuri, respekt dhe vlera. Dy vajza dhe një djalë, trashëgimia e tij më e shtrenjtë.

Ishte baba, bashkëshort, u bë gjysh, mbeti shok dhe mik i betuar. Një njeri që nuk ndryshoi kurrë nga fama. Qëndroi i njëjtë, i thjeshtë, i drejtë, i ndershëm.

Nga kampion në udhërrëfyes

Esati nuk u largua kurrë nga sporti. Edhe pasi la garat, qëndroi pranë shtizës për dekada. Punoi si trajner, si këshillues, si njeri që jepte përvojën e tij deri në vitin 1997. Ishte ndër ata që spikatën Enver Mysjen, trajnerin që më pas do të formonte një kampione bote si Mirela Manjani.

Nxënësi i tij, Nevruz Sheshi, kaloi kufirin e 64 metrave, duke treguar se puna e Esatit nuk ishte e përkohshme. Ishte një vazhdimësi. Mbolli fara që dhanë fryte.

Në moshën 85-së vjeçare, iu dha titulli “Mjeshtër i Madh”. Një nder i merituar. Një vlerësim që erdhi vonë, por që nuk ndryshoi asgjë nga madhështia e tij. Nuk jetoi për tituj, por për sportin. Për dinjitetin. Për emrin.

Rekordi që nuk do të thyhet kurrë

Esat Kryeziu, ti ike, por nuk u largove. Njerëz si ti nuk ikin. Ata mbeten. Në kujtime, në histori, në çdo hap të këtij qyteti. Na le 12 rekorde. Na le 10 vite dominim. Na le një histori, që do të rrëfehet brez pas brezi. Por mbi të gjitha, na le diçka më të madhe, një shembull.

Shembull se si jetohet me ndershmëri. Si punohet me përkushtim. Si arrihet madhështia pa humbur thjeshtësinë. Ti e hodhe shtizën lart, shumë lart. Por ajo që hodhe më lart se çdo rekord, ishte karakteri yt.

Në një kohë ku shumë gjëra harrohen shpejt, emri yt do të qëndrojë. Sepse është i lidhur me punën, me djersën, me të vërtetën.

Durrësi përcolli me nderime Esat Kryeziun, atletin dhe njeriun e çmuar. Por në çdo fushë sporti, në çdo të ri që ëndërron të bëhet kampion, ai do të jetë aty.

Ti Esat Kryeziu nuk je vetëm një emër, por mbete një histori.

U prehtë në paqe, shtiza kampione e Durrësit!