Përvjetori i dhjetë i themelimit të studios së kërcimit “Aldo dance” nuk kishte si festohej më bukur.
Shpalosja e flamurit kuq e zi në mes të Selanikut dhe vendi i katërt në Kampionatin Botëror të kërcimit hip-hop ishin një nga arritjet më të rëndësishme të grupit “Eagle beat”.
Emocionet kanë qenë të shumta jo vetëm për koreografin Aldo Aliaj dhe grupin e kërcimtarëve, por edhe për bashkëatdhetarët tanë në Greqi.
Për shumë nga anëtarët e grupit, ky është i disati kompeticion ndërkombëtar, ku ata marrin pjesë. Por si përherë emicionet janë të forta dhe atyre u mbivendoset edhe përgjegjësia për të përfaqësuar sa më denjësisht vendin tonë.
Që nga viti i parë i krijimit e deri më tani, studio ka vijuar të shtohet me elementë të rinj. Shfaqja e dhënë para disa ditësh tek Pallati i Sportit, ku kërcyen në disiplina të ndryshme rreth 300 valltarë dëshmon as më pak e as më shumë, por sesa e dashur është për fëmijët dhe adoleshentët kjo studio.
Me përkushtimin që e karakterizon, koreografi Aldo Aliaj ka fituar zemrat e të gjithë nxënësve të tij. Vallëzimi nuk është thjesht pasion dhe talent, por mbi të gjitha punë rigoroze e përditshme dhe dedikim maksimal në prova. E pikërisht këtë disiplinë të hekurt, ai mundohet t’ua rrënjosë çdo ditë nxënësve të tij.
M.B.





