5 vite më parë u nda nga jeta për shkak të Covid 19, por mbrëmjen e së enjtes ai u rikthye mes familjarëve, miqve dhe të njohurve, këtë herë jo fizikisht, por me librin e tij të jetës, “Historia e luftës në det”, një enciklopedi e mirëfilltë, që dëshmon punën voluminoze të tij.
Kapiteni i rangut I, Çapajev File mbylli sytë më 22 prill, në moshën 71—vjeçare. Ky libër, të cilit ai i kishte dedikuar 40 vite jetë dhe e la dorëshkrim, tani është në duart e lexuesve.
Krahas karrierës së tij të gjatë ushtarake, File ishte një rotarian, që nga ditët e para, kur klubet shqiptare nisën të ngriheshin.
Për të përkujtuar ushtarakun dhe rotarianin e përkushtuar Çapajev File u mblodhën bashkë familjarë, anëtarë të 2 klubeve rotariane të Durrësit dhe miq e kolegë nga radhët e ushtrisë.
Pjesëmarrësit që morën fjalën nënvizuan kontributin e madh që kapiteni File dha për mbi 4 dekada në radhët e Forcës Detare dhe rëndësinë që ky libër, ku përshkruhen rreth 300 beteja detare ka si një referencë e çmuar për ushtarakët.
“Për shkak të personalitetit të tij të fortë, urtësisë dhe integritetit ishte nga ata njerëz që flisnin pak. Por me ato pak, thoshte shumë gjëra”,- tha Dekani i FSP në UAMD, Osman Metalla, një mik i kahershëm i Files.
“Ai nuk është libër, ai në fakt është një enciklopedi, është një libër jashtëzakonisht voluminoz, që përshkruan rreth 300 beteja detare nga 700 më të rëndësishmet që njeh historia 4000-vjeçare e njerëzimit”-, tha ndër të tjera ish-zv/komandanti i Forcës Detare, Artur Meçollari.
Një përshëndetje e veçantë për rotarianin e orëve të parë Çapajev File, por edhe për familjen e tij u bë nga përfaqësuesit e Klubit Rotarian Durrës dhe e-Club Durrës, Edmond Shiroka dhe Jonadri Prodani.
Si një nga të parët rotarianë, Vaso Martopulli solli kujtime të vyera nga ato ditë të largëta të më shumë se dy dekadave më parë, kur ai dhe File iu bashkuan idealeve rotariane.
“Nëse Çapajevi ka fituar gradën Doktor Shkencash dhe Kapiten i Rangut I në anën shoqërore ishte mbi këto 2 grada”,– tha ai ndër të tjera.
Një falenderim i veçantë shkoi për të gjithë të pranishmit dhe për të gjithë ata që kontribuan që libri “Historia e luftës në det” të shihte dritën e botimit nga djali i Çapajevit, Dritani, dhe bashkëshortja Liljana.
“Historia e luftës në det” nuk është thjesht një libër voluminoz i mbushur plot fakte historike, foto e dokumenteve të personazheve të lashtësisë dhe deri në ditët tona që morën pjesë në këto beteja, por është testamenti i jetës që ushtaraku, pedagogu dhe rotariani Çapajev File po i përcjell brezave dhe të gjithë atyre që do të ecin në gjurmët e tij.
M.B.





