Si një banor i denjë i trevës së tij, autori Agim Lika nuk ndalet së shkruari për zonën ku ka lindur, Ishmin.

Këtë herë, në duart e lexuesve, Lika sjell botimin “Folklori i krahinës së Ishmit”, një libër që synon ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës dhe traditave, zakoneve dhe riteve të vendlindjes së tij.

Pas një pune të gjatë dhe intervistave të kryera në fshatra të ndryshme të zonës së Ishmit, Agim Lika ka synuar të sjellë një studim të mirëfilltë, që ka rëndësi jo vetëm për vendlindjen e tij, por edhe më gjerë, për të njohur dhe nxjerrë në pah vlerat më të mira folkloristike, që banorët kanë ruajtur dhe trashëguar ndër vite.

Në takimin letrar të mbajtur në sallën e Qendrës Kulturore Durrës, të pranishmit që morën fjalën vlerësuan rëndësinë e botimit të Agim Likës dhe theksuan ndër të tjera se etnografia përbën një “pasaportë universale” të një krahine apo hapësire të caktuar kulturore. Për këtë arsye, ruajtja e burimeve më të hershme dhe përcjellja e tyre brez pas brezi krijon dëshminë identitare të një popullsie, pavarësisht nga numri apo shtrirja e saj gjeografike.

Botimi më i fundit i Likës vjen pas dy studimeve për zhvillimin e arsimit në zonën e Ishmit.

M.B.