Një ngarkesë droge prej 10 kg kokainë të pastër me vlerë tregu të paktën 2,5 mln euro u sekuestrua nga karabinierët italianë të Fossano në Cuneo pak ditë më parë.
Në pranga ranë 4 shqiptarë të dyshuar, kurse zbulimi u bë në një kopsht rural ku mbilleshin kryesisht perime të stinës, si vendi i fshehjes së mallit për të mos rënë në sy të agjentëve.
Në veçanti, “hetimet e menjëhershme i lejuan ata të përqendronin vëmendjen e tyre në një kopsht perimesh, ku droga ishte e groposur thellë”, informojnë mediet italiane.
“Në zbatim të një dekreti të lëshuar nga Zyra e Prokurorit Publik të Cuneos, u krye një kontroll që çoi në zbulimin dhe sekuestrimin e 10 kilogramëve kokainë, të ndarë në blloqe të shënuara me logot e shtëpive të modës së lartë dhe prodhuesve të orëve luksoze, marka të cilat në tregun ilegal përdoren për të treguar origjinën dhe cilësinë e drogës”, thanë autoritetet.
Katër persona u arrestuan në flagrancë për posedim kokaine, të gjithë me origjinë shqiptare dhe të lidhur me të.
Gjatë bastisjeve të mëvonshme në shtëpi, u gjetën gjithashtu afërsisht 1,500 euro në para të gatshme, të cilat besohet të jenë të ardhura nga aktiviteti i paligjshëm dhe për këtë arsye u sekuestruan, si dhe materiale paketimi dhe peshore precize.





