Është mbledhur këtë të enjte Këshilli për Legjislacionin për të shqyrtuar dy vendime të Gjykatës Kushtetuese që lidhen me ndryshime ligjore dhe rregullore parlamentare.
Këshilli i Legjislacionit mblidhet për dy vendime të Gjykatës Kushtetuese: e para ka të bëjë me pranimin pjesërisht të kërkesës së gjyqtarëve, sa i përket pagave të tyre.
Gjykata Kushtetuese i ka dhënë afat Kuvendit, që deri në muajin korrik të vendosë për formulën e re sa u takon pagave.
Kujtojmë se Shoqata e Gjyqtarëve çoi në Gjykatë Kushtetuese vendimin e qeverisë të vitit 2023, në të cilin ndryshohej formula e pagave të gjyqtarëve, duke argumentuar se formula e re cenonte nenin 133 të Kushtetutës.
Ndërkohë, paralelisht pika e dytë e diskutimeve ka të bëjë me Rregulloren e Kuvendit në të cilën Gjykata Kushtetuese i dha të drejtë Partisë Demokratike, sa i takon mënyrës, apo procedurave parlamentare të ndjekura, të cilat nuk kanë qenë në formën e duhur.
Sipas Gjykatës Kushtetuese do të duhet që ligjvënësit të ribëjnë edhe një herë procedurën parlamentare, sa i përket rikonstruimit të komisioneve parlamentare, të cilat kaluan nga 8 në 13 të tilla. Bashkë me ndryshimet e reja të propozuara nga socialistët. E para ka të bëjë me faktin që ligjet për integrimin në BE do të kalojnë me procedurë të përshpejtuar dhe e dyta, që koha e deputetëve në seancë plenare, nga 10 minuta që flasin aktualisht do të shkojë në 5 minuta për çdo projektligj.





