Ministri i Financave, Petrit Malaj zhvilloi një konferencë për shtyp me gazetarët ku foli për rritjen e të ardhurave dhe përmirësimin e administrimit fiskal gjatë tremujorit të parë të vitit.
I pyetur se si do të veprohet me bizneset që kërkojnë lehtësira për karburante, ministri sqaroi se ndihma fillimisht do të jetë për shtresat në nevojë.
“Ka një diskutim mes grupeve të interesit, shoqatës së transportuesve, Ministrisë së Ekonomisë, Ministrisë së Energjetikës dhe Infrastrukturës, ku kërkohen masa lehtësuese. Këto janë masa lehtësuese të cilat ne do t’i vlerësojmë rast pas rasti. Por, siç thashë, rekomandimet nga FMN dhe BB vijnë në formë të tillë që ndihmat që ofron qeveria duhet të jenë fillimisht te grupet vulnerabël dhe shtresat në nevojë, përpara se të ndihmojmë sektorë specifikë brenda ekonomisë shqiptare“.





