Një aksident i rëndë rrugor në Zvicër i ka marrë jetën një shtetasi shqiptar, ndërsa disa persona të tjerë mbetën të plagosur.

Ngjarja ndodhi në autostradën A1, pranë zonës së pushimit Gunzgen North, ku u përfshinë katër automjete.

Viktima është Fadil Haliti, 50 vjeç, banues në kantonin e Cyrihut, i cili humbi jetën në vendngjarje, pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë të shërbimeve emergjente.

Si pasojë e përplasjes, gjashtë persona pësuan lëndime dhe u transportuan drejt spitaleve me ambulanca dhe helikopterë shpëtimi.

Për shkak të aksidentit, autostrada u mbyll përkohësisht në të dy drejtimet, duke shkaktuar bllokime të mëdha trafiku dhe devijime për drejtuesit e mjeteve.

I ndjeri lë pas bashkëshorten, tre fëmijë dhe nipër e mbesa. Familjarët e përshkruajnë si një njeri të dashur dhe të përkushtuar ndaj familjes.