Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha nga Dibra ku mbajti ‘Foltoren’ sulmoi qeverinë e Edi Ramës për abuzimet financiare por edhe për qëndrimin ndaj Kosovës
Gjatë fjalës së mbajtur para demokratëve dibranë, Berisha u shpreh se, qeveritarët ‘sillen si anëtarë të një organizate kriminale’, duke akuzuar për korrupsion të përhapur dhe varfërim të qytetarëve. Ai u shpreh se, këmbëngulja për të vazhduar betejën politike nuk do të ndalet, pavarësisht presioneve dhe izolimit të mëparshëm ndërkombëtar. ‘Ne qëndruam për të vërtetat e mëdha të këtij populli, Dhe sot jemi bërë zëri më i dëgjuar ndërkombëtarisht’, theksoi Berisha.
Berisha iu bëri thirrje jo vetëm demokratëve, por edhe socialistëve të Dibrës dhe gjithë Shqipërisë që të vënë atdheun mbi partinë.
“Unë u bëj thirrje socialistëve të Dibrës, mos harrojnë se para se të jenë socialistë, janë shqiptarë.
Mos harrojnë se të parët e tyre s’kanë qenë socialistë, kanë qenë atdhetarë. Dhe çdo shqiptari i bëj thirrje, të ndalet, t’i thotë vetes, njeriu i qytetëruar është patriot. Njeriu i qytetëruar do vendin e tij, do kombin e tij, mbron interesat e vendit të tij, pavarësisht nga bindjet… Ne do protestojmë me të gjithë forcën tonë të pamposhtur gjer në fitoren tonë. Ne nuk tërhiqemi. Ne nuk mposhtemi.
Ne e faktuam. E faktuam që jemi të pamposhtur. Dhe ky është kilometri i fundit.
Dhe këtë kilometër ne do ta bëjmë në, me forcën më të madhe, me dinjitetin më të madh. Faleminderit shumë”, tha Berisha.





