Ilir Meta do të vazhdojë të qëndrojë në qeli, pasi Apeli i GJKKO ka rrëzuar kërkesën e tij për një masë më të lehtë sigurie kundrejt garancisë pasurore prej 50 mijë eurosh.

Ne vendimin e Apelit të GJKKO thuhet se o pandehuri kishte kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë me alternativa më të lehta, si arrest shtëpie, garanci pasurore, detyrim paraqitjeje në policinë gjyqësore ose ndalim të daljes jashtë vendit. Ankesa ishte paraqitur përmes mbrojtësit ligjor, avokatit Kujtim Cakrani.

Sipas vendimit, palët do të njoftohen zyrtarisht, ndërsa ndaj këtij vendimi mund të ushtrohet rekurs në Gjykata e Lartë.

Vendimi i Apelit të GJKKO

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Saida Dollani, sot më datë 04.05.2026, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 120 akti, datë 22.04.2026 regjistrimi, mbi ankimin e ankuesit I.M: “Ankim kundër vendimit nr. 242, datë 24.03.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me objekt: zëvendësimin e masës së sigurimit personal të arrestit në burg, në një masë tjetër: arrest në shtëpi, garanci pasurore, detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore, ose ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe vendosi:

– Mospranimin e ankimit të paraqitur nga i pandehuri I.M., nëpërmjet mbrojtësit av. Kujtim Cakrani, ndaj disponimit nr. 242, datë 24.03.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

– Ky vendim t’i njoftohet palëve.

– Ndaj këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë.

Tiranë, më 04.05.2026.