Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka ngritur akuza ndaj ish-kreut të SPAK, Altin Dumani, duke e akuzuar për deklarime kontradiktore në procesin e vetingut. Pas daljes nga SPAK, Berisha u ndal te dokumentacioni i pasurisë së Dumanit, duke theksuar se sipas të dhënave, ai ka lidhur kontratë porosie për një apartament me sipërfaqe 127 m² në Tiranë më 18 gusht 2006, me vlerë totale 50 mijë euro.
Sipas tij, në momentin e blerjes janë paguar 9 mijë euro, ndërsa më 16 nëntor 2006 është shlyer edhe shuma prej 2.95 milionë lekësh përmes një kredie, duke mbetur ende një detyrim prej 2 milionë lekësh. Por, sipas Berishës, kontradikta qëndron në faktin se në një pjesë tjetër të deklarimit, Dumani pretendon se ka nisur të banojë në këtë apartament që në vitin 2004, pra dy vite para se të lidhej kontrata e porosisë.
Më tej, ai solli në vëmendje edhe vlerësimin e çmimit të apartamentit nga Komisioni i Vetingut, i cili sipas tij është llogaritur rreth 390 euro/m², ndonëse bëhet fjalë për një zonë elitare të Tiranës, si Liqeni i Thatë apo Kodra e Diellit, ku sipas tij çmimet në atë periudhë varionin nga 750 deri në 800 euro/m².
“Tani, për disa arsye shumë të veçanta, u detyrova të bëj një spostim në axhendën time. Por ju do mësoni një gjë që është për Guiness. Megjithatë, për rikujtesë. Altin Dumani në veting, për rikujtesë kjo, kjo është e radhës së kaluar, kam bërë kontratë porosie për blerje apartamenti banimi me sipërfaqe 127 metër katrorë me datën 18.8.2006, në një godinë pesëkatëshe, në Tiranë. Vlera totale e apartamentit është 50 mijë euro. Shuma e shlyer është 9 mijë euro në momentin e blerjes dhe 2 milionë e 950 mijë lekë me datën 16.11.2006 në momentin e marrjes së kredisë. Detyrimi i mbetur është 2 milionë lekë, i cili do bëhet pas plotësimit të dokumentacionit. Tani, dëgjoni pak. Dua të sqaroj në faqen 8, thotë, se në këtë apartament kemi filluar të banojmë, apartamentin që kemi porositur në vitin 2006, me 18.8.2006 e porosita thotë, kontratë porosie, çka do të thotë kur paguhen në ndërtim e sipër. Në apartament, thotë, kam filluar të banoj në vitin 2004. A ka gënjeshtër më të turpshme se kjo? Në faqen 7 thotë e porosita apartamentin me kontratë porosie me 18.8.2006. Në faqen 8 thotë në këtë apartament kam filluar të banoj në vitin 2004.
Dhe kam shpenzuar 1 milion e 400 mijë lekë për arredimin e brendshëm. Tani dëgjojeni pak tjetrën se çfarë race mashtruesish janë këta. Se ç’përfaqëson ky që kryesoi prokurorinë më të rëndësishme të vendit. Se ç’përfaqëson ky që në Kushtetutë përfaqëson prokurorinë më të rëndësishme të vendit. Shikoni çfarë thotë. Komisioni konstatoi, thotë, se çmimi i blerjes së kësaj pasurie është në vlerën 390 euro. Pasuria është në një nga zonat më elitare të Tiranës, diku tek Liqeni i Thatë apo Kodra e Diellit, në atë krah atje, ku janë çmimet më të kripura dhe që në atë periudhë, sipas burimeve të sigurta, kanë qenë të paktën 750-800 euro. Tani shikoni se çfarë thotë komisioni. Komisioni thotë se çmimi i blerjes së kësaj pasurie është në vlerën 390 euro. Komisioni vlerësoi këtë çmim në raport me çmimet e tregut, kontratat e ngjashme të porosive apo të shitblerjes në këtë zonë dhe ky çmim nuk rezulton nën koston e ndërtimit. Pra, në variantin më të sigurt, është shumë larg çmimit të tregut, por është në çmimin e kostos së ndërtimit. Pra, apartamenti është blerë me çmimin e kostos së ndërtimit. E dëgjoni tani? Blerë me çmimin e kostos,” tha Berisha.





