Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha ka hedhur poshtë të gjitha akuzat se ka pasur veto nga shtetet anëtare për Shqipërinë. Gjatë fjalës së tij në Komisionin e Jashtëm, Hoxha theksoi se brenda vitit 2030 vendi ynë do jetë pjesë e familjes Europiane.
“Në debatin publik është pretenduar mëse një herë se procesi është bllokuar, se vende të caktuara kanë vënë veto (pretendohej për 9 të tilla) apo se Shqipëria nuk po avancon më. Duke mirëkuptuar interesin e veçantë për këtë proces dhe respektuar debatin publik pavarësisht qasjes, dëshiroj ta them qartë dhe me përgjegjësi: këto pretendime nuk qëndrojnë.
Nuk ka pasur dhe nuk ka bllokim, nuk ka pasur dhe nuk ka veto nga asnjë shtet anëtar. Procesi ka vijuar dhe vijon normalisht. Edhe Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë e ka konfirmuar publikisht këtë fakt. Progresi i dukshëm i vendit në negociata është theksuar në mënyrë të përsëritur, disa herë, nga Komisionerja Kos dhe Përfaqësuesja e Lartë Kallas”, tha Hoxha.
Hoxha theksoi se raporti që i është dorëzuar Këshillit të BE-së nga Komisioni, për Vlerësimin e pikave të ndërmjetme (IBAR), ka qenë pozitiv për Shqipërinë.
“Ajo që dimë me siguri është se rekomandimet e Komisionit për Këshillin kanë qenë pozitive, duke njohur progresin e arritur dhe përmbushjen e piketave, si dhe duke rekomanduar vijimin e procesit drejt miratimit të tyre”, theksoi Hoxha.





