Një ngjarje e rëndë që tronditi komunitetin shqiptar në Greqi ka marrë një tjetër dimension pas rrëfimit të nënës së 19-vjeçares shqiptare që humbi jetën më 14 prill 2026 në Argostoli.

Nëna e vajzës ka treguar momentet e fundit para tragjedisë, duke kujtuar se e bija, Myrto, ishte një vajzë e qetë dhe e përkushtuar ndaj studimeve, me synimin për t’u bërë asistente mikrobiologe.

Mbrëmjen e ngjarjes, ajo ishte në shtëpi me prindërit dhe kishte dalë për një shëtitje të zakonshme me të dashurin.

Sipas saj, asgjë nuk dukej e pazakontë. Ajo ishte nisur për turnin e natës në spital dhe kishte parë makinën e të riut jashtë shtëpisë, por nuk kishte pasur asnjë komunikim me të.

Momenti më i rëndë për të ishte kur u thirr në spital pa shumë shpjegime.

Kur mbërriti, kuptoi menjëherë se diçka e rëndë kishte ndodhur nga reagimi i kolegëve. Pak më vonë, u përball me lajmin se vajza e saj nuk jetonte më.

Ajo kujton se në ato çaste kishte kërkuar që të bëhej gjithçka për ta shpëtuar, duke mos e pranuar dot humbjen. Ngjarja mbetet e paqartë në disa detaje, ndërsa autoritetet greke vijojnë hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e vdekjes së 19-vjeçares.

RRËFIMI I NËNËS:

“Të hënën e Pashkëve, rreth orës 21:55, ishim në shtëpi të tre, me babanë e saj. Myrto doli nga dhoma dhe na pyeti nëse ishte veshur bukur. Folëm për rrobat e saj.

E dija që do të dilte për një shëtitje me D. (i dashuri), por babai i saj nuk e dinte, pasi ishte shumë i rreptë dhe nuk i kishim treguar për lidhjen e saj. Ai ishte tepër mbrojtës ndaj saj, e telefononte vazhdimisht kur dilte, por Myrto kishte një dobësi të madhe për të.

Atë natë dola nga shtëpia për të shkuar në punë, pasi punoj si infermiere dhe ndërsa po largohesha pashë makinën e D., që po priste Myrton, por nuk folëm fare me njëri-tjetrin, pasi nuk ishim prezantuar”, tregoi ajo.

Momenti më dramatik ishte kur u përball me trupin e së bijës në spital. Ajo tha se ishte në shtëpi kur u njoftua për rastin dhe sapo mbërriti në spital, u përball me fytyrat e ngrira të kolegëve. Para se t’i jepnin lajmin e rëndë, ajo rrëfeu se mjekët i dhanë qetësues.

“Në mëngjesin e datës 14.04.2026 kisha dalë nga puna pak më herët dhe isha në shtëpi. Më telefonoi një kolege dhe më tha se duhej të shkoja menjëherë në spital, pa më dhënë shpjegime. Mendova se kishte ndodhur diçka me një rast që po trajtoja.

Kur mbërrita, pashë shikime të ngrira dhe ndjeva se diçka e rëndë kishte ndodhur. Para se të më thoshin gjë, më dhanë qetësues. Mbaj mend që iu luta mjekëve të bënin gjithçka për të shpëtuar fëmijën tim, madje u thashë të merrnin zemrën time dhe t’ia jepnin asaj.

E vetmja gjë që kujtoj është se vrapova drejt saj. Nuk doja ta besoja që fëmija im kishte ndërruar jetë”.