Organizata Botërore e Shëndetësisë ka bërë të ditur se shpërthimi i hantavirusit në anijen turistike MV Hondius, ku deri tani janë raportuar tre viktima, nuk përbën rrezik për një epidemi apo pandemi globale.

Në një konferencë në Gjenevë, drejtuesja e Departamentit për Përgatitjen dhe Parandalimin Epidemik në OBSH, Maria Van Kerkhove, tha se situata është nën monitorim të vazhdueshëm dhe se rreziku për publikun mbetet i ulët.

Sipas saj, nuk ka shenja që të tregojnë për përhapje të gjerë të virusit, por rasti shërben si kujtesë për rëndësinë e kërkimeve shkencore dhe pajisjes me teste, trajtime dhe vaksina.

OBSH sqaroi se bëhet fjalë për variantin “Andes” të hantavirusit, i cili në raste të rralla mund të transmetohet edhe nga njeriu te njeriu në kushte kontakti të ngushtë.

Hetimet paraprake tregojnë se infektimet e para mund të kenë ndodhur në Argjentinë, përpara nisjes së udhëtimit të anijes.

Autoritetet shëndetësore po vijojnë gjurmimin e kontakteve, ndërsa Argjentina ka vendosur të dërgojë rreth 2,500 komplete testimi në disa vende për të ndihmuar në identifikimin e rasteve të mundshme dhe kufizimin e përhapjes.