Shijaku ka zgjedhur vajzën dhe djalin më të bukur të qytetit, në një mbrëmje festive që mblodhi bashkë të rinjtë dhe komunitetin. Edicioni i shtatë i “Miss & Mister Shijaku” solli në skenë 40 konkurrentë, në një mbrëmje ku nuk munguan emocionet, muzika dhe dëshira e të rinjve për t’u përfshirë dhe për të treguar veten.

Me mbështetjen e Bashkisë së Shijak, eventi u zhvillua si një hapësirë ku të rinjtë patën mundësinë të fitojnë eksperiencë, vetëbesim dhe të promovojnë talentin e tyre përpara publikut, ku kurorën i rrëmbyen Sara Baçova 17 vjeçe dhe Ergys Kadiqi 18 vjeç, të cilët do të përfaqësojnë qytetin në eventin kombëtar “Miss & Mister Turizmi” në Peshkopi.

Nën kujdesin e producentes Myzejen Konduri dhe stafit organizator, eventi synoi jo vetëm spektaklin, por edhe përfshirjen e të rinjve në aktivitete kulturore dhe artistike, në një zonë ku iniciativa të tilla mbeten të rëndësishme për jetën sociale të komunitetit.