Donald Trump ka vënë në dyshim çmimet marramendëse të biletave për ndeshjet e Kupës së Botës 2026, duke deklaruar për “New York Post” se “as unë nuk do t’i paguaja, të jem i sinqertë”.

Deklarata erdhi gjatë një interviste telefonike për gazetën amerikane, ku Trump tha se “nuk e dinte atë shifër” për ndeshjen hapëse të kombëtares amerikane ndaj Paraguajit. Në dhjetor, FIFA kishte vendosur një çmim bazë prej 1.120 dollarësh për biletat e kategorisë 3 më të lirat për shumicën e tifozëve, duke qenë se numri i biletave të kategorisë 4 ishte shumë i kufizuar. Komentet e Trump vijnë vetëm një ditë pasi presidenti i FIFA, Xhiani Infantino, mbrojti politikën e çmimeve për Botërorin 2026. Për herë të parë në historinë e turneut, FIFA do të përdorë sistemin e “çmimeve dinamike”, që lejon rritjen ose uljen e çmimit të biletave në varësi të kërkesës.

“Duhet të shohim tregun ndodhemi në vendin ku industria e argëtimit është më e zhvilluara në botë. Prandaj duhet të aplikojmë çmime tregu”, deklaroi Infantino. Ai shtoi se në SHBA lejohet edhe rishitja e biletave, duke argumentuar se nëse FIFA do t’i shiste ato me çmime shumë të ulëta, ato do të rishiteshin më pas shumë më shtrenjtë nga tregu sekondar. Më vonë, Infantino pretendoi se “nuk mund të shkosh të shohësh as një ndeshje universitare në SHBA për më pak se 300 dollarë”, deklaratë që u hodh poshtë shpejt nga disa media amerikane.

“Isha shumë i interesuar të isha aty, por sinqerisht as unë nuk do ta paguaja atë shumë”, tha Trump për “New York Post”, kur u pyet për çmimet e biletave të Botërorit.

“Nëse njerëzit nga Queens dhe Brooklyn, dhe të gjithë ata që e duan Donald Trump, nuk mund të shkojnë në stadium, do të zhgënjehesha. Por në të njëjtën kohë, është një sukses i jashtëzakonshëm”, shtoi ai. “Do të doja që njerëzit që votuan për mua të kishin mundësi të ndiqnin ndeshjet nga afër”.