Presidenti amerikan Donald Trump do të mbërrijë të mërkurën në mbrëmje në Pekin, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Sipas programit zyrtar, të enjten në mëngjes është planifikuar një aktivitet publik, ndërsa në mbrëmje do të zhvillohet një darkë zyrtare.

Para largimit të Trump të premten në mëngjes, do të ketë takime edhe në nivel teknik mes delegacioneve të dy vendeve.

Shtëpia e Bardhë bëri të ditur se Trump dhe presidenti kinez Xi Jinping do të diskutojnë marrëveshje për tregtinë dhe investimet. Në fokus do të jenë edhe çështje që lidhen me hapësirën, bujqësinë dhe energjinë.

Trump pritet gjithashtu t’i propozojë Xi Jinping një vizitë zyrtare në SHBA më vonë gjatë vitit 2026.

Sipas një zyrtari amerikan, dy liderët do të diskutojnë edhe për Iranin dhe Rusinë, si dhe për inteligjencën artificiale dhe shqetësimet e Uashingtonit në këtë fushë.

SHBA-ja theksoi se nuk pritet ndryshim i politikës amerikane ndaj Tajvanit. Gjithashtu, u bë e ditur se nuk ka përparim në bisedimet me Kinën për çështjet bërthamore.