Ish-kryeministri tajlandez Thaksin Shinawatra është liruar nga burgu Klong Prem në Bangkok pas 8 muajsh të vuajtjes së një dënimi lidhur me një çështje korrupsioni. Thaksin, 76 vjeç, u prit nga qindra persona, përfshirë familjen dhe aleatët politikë, të cilët brohorisnin “Ne e duam Thaksin” gjatë daljes së tij nga burgu këtë të hënë, 11 maj.
I njohur për ndikimin e tij të madh në politikën tajlandeze për më shumë se një çerek shekulli, Thaksin ka humbur pak nga fuqia e tij pas burgosjes dhe performancës së dobët të Partisë së tij Pheu Thai në zgjedhjet e këtij viti.
Me flokë më të shkurtër dhe i të veshur me një këmishë të thjeshtë, Thaksin përshëndeti mbështetësit me buzëqeshje, por nuk dha deklarata për gazetarët.
Thaksin ishte kryeministër nga viti 2001 deri në grushtin ushtarak të vitit 2006, ndërsa ndodhej jashtë vendit. Pas 15 vitesh në emigracion, ai u kthye në Tajlandë në 2023-in për t’u përballuar me një dënim 8-vjeçar për konflikte interesi dhe keqpërdorim pushteti gjatë mandatit të tij. Ky dënim u shkurtua nga mbreti në vetëm 1 vit, kjo edhe prej gjendjes së tij jo të mirë shëndetësore.
Sipas një paneli të Ministrisë së Drejtësisë, atij iu dha lirim me kusht pasi u shqyrtuan më shumë se 900 raste të të burgosurve të këtij rangu, duke marrë parasysh sjelljen e tij të mirë në burg, moshën dhe rrezikun e ulët për përsëritje të shkeljes. Ai do të mbajë gjithashtu një pajisje monitorimi elektronike në kyçin e këmbës për 4 muajt e mbetur.
Partia e tij Pheu Thai, që ra në vendin e tretë në zgjedhjet e shkurtit, u bashkua me koalicionin qeverisës të kryeministrit konservator Anutin Charnvirakul. Nipi i Thaksin, Yodchanan Wongsawat, që u bë drejtues i Pheu Thai për zgjedhjet e shkurtit, u emërua ministër i Arsimit të Lartë në kabinetin e Anutin.
Vajza e Thaksin, Paetongtarn, u bë kryeministrja më e re e vendit në 2024-ën, por u shkarkua nga Gjykata Kushtetuese e Tajlandës pas publikimit të një regjistrimi telefonik komprometues me ish-liderin kamboxhian, Hun Sen.





