10 ditëshi i parë i muajit maj ka sjellë në Durrës grupe të shumta turistike nga vende të ndryshme të Evropës, por edhe SHBA e më gjerë. Kushtet atmosferike jo shumë të qëndrueshme gjatë këtyre ditëve, nuk i kanë trembur turistët për të vijuar turin e tyre nëpër qytet.
Vizita në qendrën historike të qytetit, sitet arkeologjike dhe monumentet mbeten për turistët ndër etapat më të rëndësishme të qëndrimit të tyre në qytetin 3000-vjeçar.
Pavarësisht se vendi ynë është kthyer në një destinacion të reklamuar nga revistat dhe website-t më të njohura turistike ndërkombëtare, shumë prej vizitorëve të huaj e mësojnë historinë tonë nga rrëfimet e guidave, që i shoqërojnë.
“Kam dëgjuar që kryeqyteti juaj është i bukur, po ashtu edhe pjesa malore. Pamë Bunker Art 1, kemi bërë hiking në male, pamë Krujën, liqenin e Bovillës etj. Kam ardhur këtu nga Belgjika së bashku me babain tim. Kemi një guidë shuëm të mirë që po na mëson për historinë tuaj, të shkuarën nën regjimin komunist apo zhvillimin tuaj gjatë perandorisë romake dhe osmane, por dhe aktualitetin. Ishte një miksim i bukur mes historisë dhe natyrës” .
“Pamë qendrën e Tiranës, objektet e kultit, por edhe gradaçelat tuaja. Më pëlqen arkitektura e tyre. Vendi juaj është një destinacion, që duhet të vizitohet. Njerëzit janë shumë të mirë, nuk jeni vend shumë i populluar, por edhe çmimet janë të lira. Çdo gjë është e mirëorganizuar”.
“Sapo kemi filluar turin në qytetin tuaj. Pamë muret rrethuese dhe tani jemi në amfiteatër. Nuk di asgjë për Durrësin dhe po mësoj tani. Edhe për Shqipërinë, di shumë pak. Di vetëm që për shumë vite keni qenë nën një regjim totalitar, por jeni vend i bukur. Unë kam ardhur nga SHBA”.
“Kur erdhëm këtu, nuk kishim idenë më të vogël për Shqipërinë. Kam parë vetëm disa dokumentarë të 20 viteve më parë në Gjermani, por ju keni ndryshuar shumë. Kemi parë monumentet historike, por edhe ndërtesat moderne që po ngrini. Më pëlqen vendi juaj”.
“Më pëlqen shumë historia, por më pëlqen edhe si po modernizoheni. Do të qëndrojmë disa ditë këtu, kemi ardhur nga Anglia. Tek ne flitet shumë mirë për vendin tuaj dhe kam dëshirë të rikthehem sërish këtu për të parë ndryshimin pas disa vitesh”.
Zgjatja e sezonit turistik dhe kthimi i Durrësit në një destinacion të vizitueshëm minimalisht 6 muaj të vitit është një fakt që pranohet nga të gjithë operatorët turistikë. Gjatë sezonit të ulët, pjesa më e madhe e vizitorëve janë grupe të organizuara nga vende të ndryshme të Evropës, të orientuar më shumë drejt turizmit kulturor. Ndërkohë, muajt e verës pritet të sjellin popullimin e vijës bregdetare të Durrësit, sidomos gjatë fundjavave.
M.B.





