Kafeja është pjesë e rutinës së përditshme për miliona njerëz në mbarë botën, por ekspertët paralajmërojnë se ajo mund të ndikojë më shumë në organizëm nga sa mendohet, veçanërisht te niveli i stresit.

Sipas kërkimeve të fundit, kafeina stimulon prodhimin e kortizolit, hormoni që lidhet me reagimin e trupit ndaj stresit. Ky efekt bëhet më i fortë në orët e mëngjesit, kur organizmi prodhon natyrshëm më shumë kortizol për t’u zgjuar dhe për t’u aktivizuar.

Kur kafeja konsumohet pikërisht në këtë periudhë, niveli i hormonit mund të rritet më shumë se normalja, duke shkaktuar simptoma si nervozizëm, rrahje të shpejta zemre, pagjumësi dhe shqetësime në stomak.

Ekspertët sqarojnë se luhatjet e vogla të kortizolit gjatë ditës janë normale, por nivelet e larta për periudha të gjata mund të lidhen me probleme të ndryshme shëndetësore dhe lodhje kronike.

Për ata që duan të reduktojnë ndikimin e kafeinës, sugjerohet që filxhani i parë të mos pihet menjëherë pas zgjimit, por pak më vonë gjatë ditës. Gjithashtu rekomandohet vendosja e një kufiri për konsumimin e kafeinës në mbrëmje dhe zëvendësimi gradual i saj me alternativa si çajrat bimorë, uji ose kafeja pa kafeinë.

Specialistët këshillojnë edhe metoda natyrale për uljen e stresit, si aktiviteti fizik, gjumi cilësor, meditimi, ushqimi i balancuar dhe kalimi i kohës në natyrë.