Irani ka paralajmëruar vendet evropiane që të mos dërgojnë luftanije në Ngushticën e Hormuzit, pasi përgjigjja e Teheranit ndaj propozimit të fundit amerikan nuk i përafroi palët.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmaeil Baghaei tha se vendet evropiane duhet të përmbahen dhe të mos bëjnë lëvizje që do të minonin interesat e tyre.
Ai paralajmëroi se çdo ndërhyrje ushtarake në Gjirin Persik do të çonte në rritjen e çmimeve të energjisë dhe do të komplikonte më tej situatën.
“Kjo luftë nuk është vetëm joetike, por është edhe e paligjshme. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli e nisën agresionin e tyre ndaj Iranit. Ndaj, vendet evropiane nuk duhet të gënjehen dhe të përfshihen në këtë çështje”, deklaroi zëdhënësi.
Paralajmërimi erdhi teksa pozicioni i Republikës Islamike në negociata, që nuk është bërë plotësisht i qartë për publikun, u raportua përmes mediave shtetërore iraniane.
Agjencia e lajmeve “IRNA” raportoi se Teherani ia dorëzoi përgjigjen e saj Uashingtonit përmes ndërmjetësve pakistanezë.
Disa media, mes të cilave “Wall Street Journal”, duke cituar burime të rezervuara publikuan një dokument me shumë faqe që vinte në dukje pozicionin e Iranit, por raportuan gjithashtu se diferencat mes palëve mbeten të mëdha.
Sipas burimeve mediatike, Teherani propozoi një ndërprerje të akteve armiqësore me qëllim lehtësimin e kufizimeve detare dhe shtyrjen e çështjes bërthamore për një periudhë 30-ditore.
Gjithashtu, regjimi propozoi hollimin e uraniumit të pasuruar dhe transferimin e stoqeve të mbetura në një vend të tretë, ndërsa refuzoi çmontimin e infrastrukturës bërthamore.
Por propozimet u refuzuan nga presidenti Trump, i cili i cilësoi ato si “të papranueshme” për administratën amerikane.





