ODIHR-i ka dalë me një opinion urgjent mbi projektligjin e Shqipërisë për financimin e partive politike.

Në dokumentin, i cili mban datën 30 prill 2026, theksohet se nisma për të rregulluar në mënyrë më të plotë financimin e partive është pozitive, por se ekzistojnë një sërë mangësish që duhen korrigjuar për të përmbushur standardet ndërkombëtare dhe angazhimet e OSBE-së.

Sipas opinionit, projektligji përbën një hap përpara pasi synon të rrisë transparencën dhe kontrollin mbi financimin e partive politike, përmes krijimit të një sistemi më të detajuar raportimi financiar, publikimit të të dhënave në kohë reale dhe forcimit të rolit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).

Gjithashtu, parashikohen rregulla më të forta për kufizimin e burimeve të financimit, auditimin e brendshëm dhe të jashtëm, si dhe ndarje më të qartë të fondeve publike, përfshirë edhe stimuj për barazinë gjinore dhe pjesëmarrjen e të rinjve.

Megjithatë, ODIHR thekson se efektiviteti i ligjit do të varet nga zbatimi i tij dhe nga kapacitetet e institucioneve, veçanërisht të KQZ-së, e cila duhet të ketë burime të mjaftueshme njerëzore dhe financiare për të kryer verifikime, hetime dhe administrimin e sistemeve digjitale të raportimit.

Po ashtu, ngrihen shqetësime për mbivendosje dhe paqartësi mes ligjit të ri dhe Kodit Zgjedhor, gjë që mund të krijojë boshllëqe ligjore dhe paqartësi në zbatim.

Një pjesë e rëndësishme e rekomandimeve lidhet me financimin privat të partive. ODIHR kërkon ndalimin e dhënies së donacioneve në emër të personave të tjerë, si dhe detyrimin për të deklaruar identitetin e plotë të donatorëve, përfshirë profesionin, punëdhënësin dhe pronësinë përfitues të kompanive që japin fonde. Po ashtu, kërkohet rregullim më i qartë i kredive ndaj partive politike, duke përfshirë kushtet, afatet dhe raportimin e tyre të detajuar.

Në aspektin e transparencës, rekomandohet publikim i menjëhershëm dhe afatgjatë i raporteve financiare të partive, dorëzim i dokumentacionit mbështetës dhe rregulla të qarta për vlerësimin e kontributeve jo-monetare, si shërbimet apo ndihmat në natyrë.

Sa i përket mbikëqyrjes, ODIHR-i kërkon sqarim të kompetencave hetimore të KQZ-së, forcim të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe garantim të aksesit publik në të dhënat e financimit të partive.

Gjithashtu, theksohet nevoja për qartësi ligjore në vendosjen e gjobave dhe sanksioneve, duke siguruar proporcionalitet dhe shmangie të zbatimit të paqartë ose arbitrar.