Shqipëria do të jetë pjesë e finales së Eurovision. Alis me këngën “Nan”, i 13-ti në radhë për të performuar, arriti ta çojë vendin tonë në finale.
Këngëtari nga Shkodra dhuroi një performancë spektakolare, duke elektrizuar skenën e madhe të Vjenës. Performancën e bëri akoma më interesante edhe prania e aktores Rajmonda Bulku në skenë. Në atmosferën elektrizuese të gjysmëfinales së dytë të “Eurosong 2026”, publiku europian përjetoi një moment krenarie shqiptare, teksa në skenën madhështore u ngjit artisti Alis, duke sjellë një performancë plot emocion, energji dhe identitet artistik. Gjysmëfinalja e dytë e “Eurovision Song Contest 2026” nisi me një performancë të jashtëzakonshme, që ngjiti në skenë këngën fituese të vitit të kaluar, “Wasted Love” nga JJ.
Ndërsa, kënga “Nan”, e vlerësuar edhe nga mediet ndërkombëtare si një nga performancat më të forta, më emocionale, mori vëmendjen e të pranishmëve në këtë skenë evropiane të muzikës. Alis u duartrokit për performancën drithëruese, ndërsa në sfond të skenës shfaqej imazhi i artistes Rajmonda Bulku, një gjetje kjo e skenografisë që lidhet me portretin e nënës shqiptare dhe mesazhin thelbësor të kësaj kënge. Hiti i Alis erdhi mes flamurit kuqezi dhe atmosferës elektrizuese të “Wiener Stadthalle”, gjatë gjysmëfinales së dytë të “Eurovizion 2026”.
Për Shqipërinë, pjesëmarrja në Eurosong mbetet jo vetëm një garë muzikore, por edhe një mundësi për të prezantuar kulturën, talentin dhe frymën artistike shqiptare në arenën ndërkombëtare. Më herët gjatë ditës së djeshme Kryeministri, Edi Rama, bëri thirrje publike për mbështetjen e përfaqësuesit shqiptar në “Eurovision Song Contest 2026”. Kënga “Nan” sjell një mesazh emocional dhe të fuqishëm mbi figurën e nënës në familjen shqiptare, duke ndërthurur motive moderne me elemente autentike shqiptare.
Unioni Evropian i Transmetimeve (EBU) ka vendosur masa më të forta për votimin, pas kritikave dhe akuzave për manipulime në edicionet e kaluara. Numri maksimal i votave për çdo person është reduktuar në 10.





