Nga BUJAR QESJA
Ka lajme që nuk pranohen lehtë. Ka ikje që lënë boshllëk, jo vetëm në familje, por në një qytet të tërë. E tillë është edhe ndarja nga jeta e Besnik Rexhës, në moshën 82-vjeçare. Është emër tepër i njohur dhe i dashur për Durrësin. Deri në fund mbeti njeri popullor në kuptimin më të bukur të fjalës, burrë që e ndërtoi jetën me mund, me zemër dhe me dashuri për njerëzit.
Durrësi sot është më i heshtur. Një zë i ngrohtë, mungon në rrugët e qytetit. Një dorë që shtrëngohej me dashamirësi, nuk do të jetë më. Një njeri që jetoi mes njerëzve dhe për njerëzit, u nda nga kjo botë duke lënë pas kujtime të paharruara. Inxhinjeri dhe intelektuali i njohur Kristaq Prifti ndjehet i pikëlluar nga kjo humbje.
-Na iku një shok dhe mik i rrallë. Kishte shumë humor. Zemra e tij ishte e madhe dhe kishte vend për secilin mik dhe shok. Shumë aktiv edhe në organizatën e veteranëv të luftës. Të gjithë e donim dhe të gjithëve do të na mungojë.
Besniku lindi në Shijak, në një familje të thjeshtë, por jeta nuk u tregua e mëshirshme me të. Që në moshë të vogël, mbeti jetim. Ishte ende fëmijë, kur fati i rëndë e la pa ngrohtësinë e prindërve. Por Zoti i dërgoi një tjetër nënë. Një grua të varfër cigane, Nënë Humen, e cila mes halleve dhe varfërisë së saj, mes tetë fëmijëve që rriste me shumë sakrifica, hapi zemrën dhe gjirin edhe për Besnikun e vogël.
Ajo kasolle ku jetonin, ku “çfarë binte jashtë, futej brenda”, nuk kishte luks, por kishte dashuri. Nuk kishte pasuri, por kishte shpirt njerëzor. Nënë Humja, nuk e ndau kurrë Besnikun nga fëmijët e saj. E rriti me përkujdesje, me bukën e pakët që ndante mes të gjithëve dhe me atë dashuri të rrallë, që vetëm zemrat e mëdha dinë ta japin.
Dhe Besniku, nuk e harroi kurrë këtë mirësi. Përkundrazi, e ktheu në amanet të jetës. Mori mbiemrin e saj, Rexha dhe e mbajti me krenari deri në fund të jetës, si shenjë mirënjohjeje për gruan, që iu bë nënë në ditët më të vështira. Për të, Nënë Humja mbeti “nëna më e mirë në botë”. Dhe sa herë fliste për të, sytë i mbusheshin me dritë e mall.
Jeta e Besnikut, ishte histori mundi dhe sakrifice. Që në moshën 14-të vjeçare filloi punë në Parkun Automobilistik të Mallrave, pasi kishte përfunduar shkollën dyvjeçare për mekanik xhenerik. Ishte ende fëmijë, por jeta e kishte bërë burrë para kohe. Punonte me ndershmëri, me disiplinë dhe me dëshirën për të ecur përpara.
Më vonë, pasi mori dëshminë e teknikut të mesëm, kaloi në Fabrikën e Gomës në Durrës. Pikërisht aty, nisën të dalloheshin aftësitë e tij organizative dhe njerëzore. Kishte një mënyrë komunikimi që të afronte. Ishte njeri i thjeshtë, pa mendjemadhësi, pa fjalë të tepërta, por me zemër të madhe. U bë shpejt i dashur për kolektivin dhe fitoi respektin e të gjithëve.
Në çdo detyrë ku punoi, Besniku la gjurmë. U emërua drejtor në UMB 2 dhe më pas u transferua në Ndërmarrjen e Shërbimeve. Kudo ku shkoi, krijoi marrëdhënie njerëzore të forta. Ishte aktiv me rininë, me organizatat shoqërore dhe më pas me organizime të tjera qytetare. Kishte energji të pashtershme dhe dëshirë për të qenë pranë njerëzve.
Nuk kishte durrsak që të mos e njihte. Nuk kishte njeri, që ta takonte dhe të mos i kërkonte një ndihmë, një këshillë apo një ndërhyrje për të zgjidhur një hall. Dhe Besniku nuk dinte të thoshte “jo”. I përkiste atij brezi njerëzish, që ndihmën e trajtonin detyrim moral.
Prandaj për Durrësin, Besnik Rexha do të mbetet portret i pazbehur. Figurë masovike dhe njerëzore, që krijoi respekt jo me pushtet apo pasuri, por me karakter, komunikim dhe shpirt të mirë.
Në jetën e tij pati edhe një familje të mrekullueshme, që e deshi dhe e mbështeti gjithmonë. Bashkëshortja e tij, Nezaqet Peku, motra e stomatologut të njohur Mitat Peku, ishte shoqja e jetës në çdo gëzim dhe vështirësi. Bashkë rritën dy fëmijë të mrekullueshëm, djalin Enkelejd dhe vajzën Juli, krenarinë e zemrës së tyre.
Edhe në vitet e fundit të jetës, Besniku nuk u shkëput nga njerëzit. Ishte aktiv në Organizatën e Veteranëve të Luftës dhe vazhdonte të ruante po atë mall për shoqërinë, për miqtë, për bisedat njerëzore.
Takimi i fundit me të mbetet i dhimbshëm. Vetëm pak ditë më parë, me atë buzëqeshjen e tij të qetë dhe zërin e ngrohtë, tha:
“Kam dëshirë t’ju mbledh për pak ditë, që të çmallemi. Kemi shumë nevojë të takohemi dhe të rrimë me njëri-tjetrin…”
Ishin fjalë zemre. Ishin fjalë të një njeriu, që e ndiente sa e çmuar është miqësia dhe afërsia njerëzore. Por fati nuk i dha kohë. Ditët e fundit gjendja e tij shëndetësore u rëndua dhe zemra e këtij njeriu të mirë pushoi së rrahuri.
Sot, shumë njerëz në Durrës ndihen më të varfër shpirtërisht. Sepse Besnik Rexha, nuk ishte thjeshtë një qytetar. Ishte pjesë e jetës së qytetit. Ishte ai njeri, që të përshëndeste me dashuri, që të pyeste me sinqeritet, që të jepte kurajë edhe kur vetë kishte halle.
Njerëzit e tillë nuk harrohen. Ata mbeten në kujtesën qytetare, si shembuj humanizmi dhe mirësie.
Lamtumirë Besnik Rexha!
Durrësi do ta ndiejë gjatë mungesën tënde. Do të mungojë fjala jote, humori yt, përzemërsia jote dhe ajo dashuri e rrallë që kishe për njerëzit.
Por emri yt, do të jetojë gjatë në kujtesën e qytetit që të deshi aq shumë.





