Sipas ish-negociatorit amerikan Robert Malley, presidenti Donald Trump rrezikon të bjerë në “kurthin e Vietnamit” në mënyrën si po e trajton konfliktin me Iranin. Malley argumenton se administrata amerikane po e sheh luftën vetëm përmes statistikave ushtarake, objektivave të goditura dhe humbjeve të armikut, duke harruar se një konflikt asimetrik nuk fitohet domosdoshmërisht me forcë më të madhe ushtarake.
Ai krahason situatën me luftën e Vietnamit, ku SHBA-të mendonin se po fitonin bazuar në shkatërrimin e shkaktuar, por rezultati përfundimtar ishte ndryshe.
Sipas tij, tri problemet kryesore që sot po përpiqet të zgjidhë Washingtoni, parandalimi i armës bërthamore iraniane, kontrolli i uraniumit të pasuruar dhe rihapja e ngushticës së Hormuzit, nuk do të ekzistonin po të mos ishte tërhequr Trump nga marrëveshja bërthamore “Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit”dhe po të mos kishte ndërmarrë sulme ndaj Iranit gjatë negociatave.
Malley beson se një marrëveshje mes palëve ka qenë e mundur në çdo fazë të konfliktit.
Sipas tij, Trump mund të kishte deklaruar se objektivat ishin arritur, dobësimi i lidershipit iranian, dëmtimi i arsenalit ushtarak dhe ngadalësimi i programit bërthamor, dhe më pas të kishte dalë nga përplasja politike e ushtarake. Megjithatë, ai mendon se presidenti amerikan nuk ka pranuar ende një marrëveshje që nuk përfundon me “kapitullimin” e regjimit iranian.
Në lidhje me programin bërthamor iranian, Malley thotë se Irani nuk ka urdhëruar ndërtimin e bombës atomike, gjë që sipas tij e pranojnë edhe shërbimet amerikane të inteligjencës. Por ai nënvizon se Teherani dëshiron të ruajë aftësinë teknike për ta ndërtuar nëse vendos një ditë ta bëjë këtë.
Për këtë arsye, ai argumenton se bombardimet nuk mund ta zhdukin njohurinë teknologjike të fituar ndër vite; ajo mund vetëm të kufizohet përmes inspektimeve ndërkombëtare dhe kontrollit të uraniumit të pasuruar.
Sa i përket Izraelit, Malley mendon se qeveria e Benjamin Netanyahu-t do të preferonte një ndryshim regjimi në Iran, por e ka kuptuar se kjo është pak realiste. Për këtë arsye, objektivi aktual sipas tij është dobësimi maksimal i qeverisë iraniane. Ai shton se Izraeli nuk do të jetë i kënaqur me një marrëveshje që nuk përfshin ngrirje afatgjatë të pasurimit të uraniumit dhe eliminim të programit raketor iranian, megjithëse në fund do të duhet të ndjekë vijën politike të Washingtonit.
Në fund të intervistës, Malley prek edhe çështjen palestineze, duke iu referuar librit të tij Tomorrow is Yesterday. Ai argumenton se zgjidhja me dy shtete nuk është më realiste dhe se Lindja e Mesme është kthyer në një realitet të ngjashëm me vitin 1948.
Sipas tij, nevojiten ide të reja dhe më kreative për të ndërtuar një formë bashkëjetese mes izraelitëve dhe palestinezëve.





