Në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit, po mbahen homazhet në nder të Birçe Haskos, i cili u nda nga jeta një ditë më parë. Ai do të përcillet sot në banesën e fundit ku do të prehet në vendlindje, në Dukat të Vlorës. Në homazhe morën pjesë personazhe të njohur të skenës shqiptare dhe jo vetëm, dashamirës dhe familjarë të aktorit. Aktori i njohur i kinematografisë shqiptare, u nda nga jeta në moshën 84-vjeçare.
Kush ishte Birçe Hasko
Birçe Hasko lindi në Dukat të Vlorës në 15 mars 1942. Në teatër ka interpretuar mbi 12 role. Roli i tij më i realizuar është ai i Milos në komedinë “Shi në plazh” shkruar nga Teodor Laço. Po ashtu një kontribut të çmuar ka edhe në kinematografinë shqiptare, ku ka interpretuar me dhjetëra role. Roli i tij i parë në kinematografi është në vitin 1971 në rolin e ballistit në filmin “Kur zbardhi një ditë”.
Më tej do të vazhdonin rolet e tij në shumë filma si ai i Mete Jahos tek filmi “Radiostacioni” në vitin 1979, roli i Syrjait në filmin “Skëterrë 43” në vitin 1980, roli i mesuesit në filmin “Gurët e shtëpisë sime” në vitin 1985 si dhe shumë role në filma të tjerë për të mbërritur në rolin e tij më të fundit në filmin “Kronikë Provinciale” në vitin 2009. Në vitin 1995, mori titullin Profesor.
Në vitin 1976, urdhri “Naim Frashëri”, klasi i dytë , në vitin 1988 “Artist i Merituar”. 18 Prill 1987, Medaljonin e Festivalit për interpretimin e rolit të Dajës në filmin “Dhe vjen një ditë” në Festivalin e VII-të të Filmit Shqiptar të zhvilluar në Tiranë nga data 13 deri në 18 prill të vitit 1987. 22 Prill 1989, Çmimi i III-të për interpretimin e rolit të Babait të Danës në filmin “Shkëlqim i përkohshëm” në Festivalin e VIII-të të Filmit Shqiptar të zhvilluar në Tiranë nga data 18 deri më 22 prill të vitit 1989. Në vitin 2002 merr titullin “Mjeshtër i Madh” ne vitin 2007 shpallet “Qytetar Nderi” i Orikumit.





