Nga Bledar Kurti

Në kalendarin amerikan, Memorial Day (Dita e Përkujtimit) nuk është thjesht një ditë e veçantë kalendarike. Është një ditë kujtese, heshtjeje dhe reflektimi për ata që humbën jetën në shërbim të vendit të tyre. Në çdo qytet amerikan, nga varrezat ushtarake tek flamujt e ulur në gjysmë shtize, kjo ditë rikthen një pyetje të përhershme: çfarë detyrimi kanë kombet ndaj atyre që sakrifikuan jetën për lirinë e të tjerëve?

Për europianët, dhe sidomos për ne shqiptarët, kjo pyetje ka një peshë të veçantë. Historia e shekullit XX nuk mund të kuptohet pa rolin vendimtar të Shteteve të Bashkuara në mbrojtje të Europës. Mijëra kilometra larg brigjeve të tyre, amerikanët luftuan dhe vdiqën në tokën europiane për të ndalur tiraninë naziste, për të çliruar popuj të pushtuar dhe për të rindërtuar një rend demokratik që sot shpesh merret si i mirëqenë.

Në plazhet e Normandisë, në pyjet e Ardenneve, në qiellin mbi Italinë apo në ujërat e Atlantikut, breza të tërë amerikanësh dhanë jetën jo për pushtim, por për një ide: se liria e kombeve të tjera kishte rëndësi edhe për ta. Ky është një dallim thelbësor historik. Europa moderne, me të gjitha institucionet e saj demokratike dhe paqen relative të dekadave të fundit, u ndërtua mbi atë sakrificë.

Shpesh në debatet politike të sotme harrohet se siguria europiane nuk ka qenë kurrë e garantuar vetvetiu. Ajo është mbrojtur me gjak. Dhe një pjesë e madhe e atij gjaku ishte amerikan, sidomos në Luftën e Parë e të Dytë Botërore.

Për Shqipërinë, lidhja me këtë histori është edhe më e ndjeshme. Edhe pse vendi ynë nuk ishte pjesë e kampit perëndimor gjatë Luftës së Ftohtë, shqiptarët e kanë parë për dekada Amerikën si simbol të lirisë politike dhe vetëvendosjes kombëtare. Kjo ndjenjë nuk lindi nga propaganda, por nga përvoja historike.

Kur Evropa Lindore mbeti pas Perdes së Hekurt, kur regjimet komuniste izoluan popujt e tyre dhe shuan pluralizmin, Shtetet e Bashkuara mbetën për shumë shqiptarë ideja e një bote tjetër: një botë ku shteti nuk ishte absolut, ku fjala e lirë nuk dënohej dhe ku kombet e vogla kishin të drejtë të ekzistonin pa frikë.

Kjo marrëdhënie mori një kuptim edhe më konkret në vitet ’90. Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë, e udhëhequr kryesisht nga fuqia amerikane, ndryshoi fatin e shqiptarëve në Ballkan. Për shumë familje shqiptare, kujtimi i ushtarëve amerikanë nuk është një koncept abstrakt gjeopolitik; është pjesë e historisë së tyre personale. Është kujtimi i refugjatëve që u kthyen në shtëpi. Është kujtimi i një spastrim etnik të ndalur. Është kujtimi i bindjes se bota demokratike nuk qëndroi indiferente.

Pikërisht për këtë arsye, Memorial Day duhet të ketë jehonë edhe jashtë Amerikës. Nuk është vetëm një ditë patriotizmi amerikan. Është edhe një kujtesë globale për koston e rendit liberal ndërkombëtar. Pa sakrificën e atyre ushtarëve, historia e Evropës do të kishte qenë shumë më e errët.

Në kohën tonë, kjo kujtesë bëhet edhe më e rëndësishme. Lufta në Ukrainë ka rikthyer në kontinent pyetje që shumë europianë mendonin se i përkisnin së kaluarës: A mund të mbrohet liria? A janë demokracitë të gatshme të sakrifikojnë për njëra-tjetrën?

Përgjigjja nuk mund të jepet vetëm me deklarata politike. Ajo kërkon kujtesë historike. Kombet që harrojnë sakrificat mbi të cilat u ndërtua paqja e tyre rrezikojnë ta humbasin atë paqe.

Edhe Shqipëria ka detyrimin e saj moral në këtë drejtim. Si anëtare e NATO-s, vendi ynë nuk është më thjesht përfitues sigurie; është pjesë e një aleance të ndërtuar mbi parimin se liria kolektive kërkon përgjegjësi kolektive. Kjo do të thotë se respekti për të rënët nuk duhet të mbetet vetëm ceremonial. Ai duhet të shoqërohet me seriozitet ndaj institucioneve demokratike, ndaj aleancave strategjike dhe ndaj vetë idesë së lirisë.

Memorial Day na kujton diçka thelbësore: historia nuk mbahet gjallë vetëm nga fituesit, por nga ata që pranuan të sakrifikojnë gjithçka për të tjerët. Në varrezat ushtarake amerikane në Evropë prehen të rinj që nuk e njihnin Francën, Belgjikën apo Italinë, por që vdiqën për to. Ky fakt mbetet një nga aktet më të fuqishme të solidaritetit ndërkombëtar në historinë moderne.

Për shqiptarët, kjo ditë është edhe një mundësi për të reflektuar mbi borxhin moral që kemi ndaj atyre që mbrojtën idealin e një Evrope të lirë, një Evropë ku sot edhe Shqipëria aspiron të marrë plotësisht vendin e saj.