Ish-kryetari i parë i degës së Partisë Socialiste për rrethin e Durrësit dhe njëkohësisht deputet në Kuvendin e Shqipërisë për tre mandate, Bardhyl Agasi, ka kujtuar periudhën e vështirë të krijimit të degës lokale të kësaj partie gjatë fjalës që mbajti në ceremoninë e 35-vjetorit të degës lokale të PS-së.

Agasi nënvizoi se në fillim të viteve ’90 ishte trimëri dhe heroizëm të ishe anëtar i Partisë Socialiste.

“Vërtet ka qenë një heroizëm në atë kohë kur është krijuar Partia Socialiste edhe në Durrës. Mund të them që ishte një terror i vërtetë. Ishte trimëri, heroizëm të pranoje të ishe anëtar i Partisë Socialiste dhe nga viti në vit, nga çdo zgjedhje, Partia Socialiste e rriti ndjeshëm forcën e saj. Mjafton vetëm një fakt, me humbjen që patëm në ’92-shin ishte sepse ne nuk kishim as komisioner në qendrat e votimit, kaq presion i madh ishte. Vinin mjekët dhe një doktor i nderuar si Anastas Qerimi me lot në sy se ishte rrahur me komisione, sa e sa të tjerë. Kurse pastaj kjo forcë në Durrës arriti rezultate që i përmendin edhe të tjerë, që ne sot kemi që nga 2000 që nuk e lëshojmë fitoren e Partisë Socialiste dhe nuk kemi ndërmend ta lëshojmë.”, tha ai.

Në të njëjtën kohë, ai i bëri apel kryeministrit Edi Rama, njëherazi kryetar i PS-së, se duhet të shkruhet historia e krijimit të çdo dege lokale, por njëkohësisht edhe historia e vetë Partisë Socialiste.