-Në këtë tavolinë rri një pjesë e historisë së Durrësit

-Vlerat që nuk i merr koha

-Durrsakë të nderuar në një fotografi kujtese

Nga BUJAR QESJA

Ka fotografi që mbeten thjeshtë kujtim familjar dhe ka të tjera, që shndërrohen në dokumente qytetarie. Kjo foto e vitit 1984, realizuar në ditëlindjen e Lutfi Shehut, është shumë më tepër sesa një çast mes miqsh. Është një copëz historie e Durrësit qytetar, ku në një tavolinë bashkohen gjashtë burra me emër, personalitete dhe ndihmesa të çmuara për qytetin e tyre. Janë në të Fatbardh Dedja, Agim Këlliçi, Lutfi Shehu, Sadik Sukaj, Shpendi Topollaj dhe Sulejman Cërloj.

Të shohësh këtë fotografi, pas 42 vitesh, të krijohet ndjesia sikur ke përballë një brez që dinte të ruante dinjitetin, shoqërinë dhe respektin reciprok. Burra që mbajtën detyra të rëndësishme në administratë, ushtri, arsim, kulturë, drejtësi e ekonomi, por që nuk e humbën thjeshtësinë dhe identitetin qytetar. Ishin njerëz të formuar, të edukuar me ndjenjën e përgjegjësisë dhe të shërbimit ndaj komunitetit.

Agim Këlliçi mbetet nga figurat e respektuara të administratës së Durrësit. I diplomuar në Institutin Ekonomik të Moskës, solli kulturën e ekonomistit serioz dhe të kuadrit të përgatitur. Pasi punoi në Komisionin e Planit të Shtetit, u ngarkua me detyrën e nënkryetarit të Komitetit Ekzekutiv të kp të Rrethit të Durrësit.

Por Agimi nuk përfaqësonte vetëm veten. Vjen nga një familje e njohur durrsake, ku secili prej vëllezërve kishte lënë gjurmë në profesionin e vet. Hyseni agronom, Fiqiriu mjek i diplomuar në Hungari dhe drejtues i spitalit të Durrësit, ndërsa Fatbardhi ekonomist me përgjegjësi në Albkontroll.

Familja Këlliçi mbetet shembulli klasik i familjes qytetare, që ka investuar në arsim, kulturë dhe punë.

Në të njëjtën tavolinë ndodhet Lutfi Shehu, koloneli i qetë dhe korrekt, njeri i disiplinës dhe përgjegjësisë. Studimet e tij në Riga të Letonisë për artileri bregdetare, flasin për nivelin e përgatitjes profesionale që kishte arritur. Në atë kohë mbante detyrën e Shefit të Mbrojtjes Civile të Rrethit Durrësit, një detyrë me përgjegjësi të mëdhe.

Por mbi uniformën dhe gradat, Lutfiu njihet edhe si njeri i komunikueshëm, mikpritës dhe shumë i respektuar në rrethin shoqëror. Vetë kjo ditëlindje, ku kishte mbledhur pranë vetes miqtë e hershëm, tregon vlerën që ai i jepte shoqërisë së pastër dhe lidhjeve njerëzore.

Fatbardh Dedja, përfaqësonte tjetër dimension të Durrësit intelektual. I diplomuar për gjuhën kineze në Pekin, ishte ndër njerëzit e rrallë të atij brezi me horizont kulturor ndërkombëtar. Punoi për vite në ambasadën shqiptare në Kinë dhe më pas drejtoi Interklubin, institucion me rëndësi në jetën kulturore dhe turistike të qytetit.

Njeri elegant, i kulturuar dhe me komunikim qytetar, Fatbardhi mbeti nga ata njerëz që të dikton respekt, pa pasur nevojë për zë të lartë apo autoritet të shtirur.

Sulejman Cërloj mbetet figura e mësuesit të përkushtuar dhe intelektualit të heshtur. Matematikani që dha mësim në Gramsh dhe Sukth, por edhe korespondenti i Televizionit Shqiptar për Durrësin. Ishte njeri i fjalës së matur dhe i raportimit të ndershëm.

I përket atij brezi mësuesish që edukonin jo vetëm me librin, por edhe me shembullin personal. Nxënësit dhe kolegët e kujtojnë si njeri korrekt, serioz dhe me kulturë të gjerë shoqërore.

Në këtë foto bie në sy edhe Shpendi Topollaj, personalitet shumëplanësh. Oficer me formim ushtarak, më pas jurist, noter dhe nëpunës në Gjykatën e Durrësit. Arriti të ndërthurë disiplinën e profesionit, me botën e letërsisë. Njihet gjerësisht si shkrimtar, me mbi 80 libra të botuar. Shembulli i intelektualit, që nuk reshti së krijuari dhe së ndihmuari për jetën kulturore të qytetit dhe të vendit.

Mes tyre ndodhet edhe Sadik Sukaj, i vetmi që nuk jeton. Ish komisar vapori dhe drejtues i kooperativës bujqësore të Kryevidhit, kujtohet si njeri i drejtë, punëtor dhe i lidhur fort me njerëzit e zakonshëm. Vëllai i tij, është specialisti i njohur i blektorisë Bajram Sukaj. Figura të tilla nuk maten me poste, por me respektin që lënë pas.

Kjo fotografi, ka vlerën e një mesazhi të madh qytetar. Na kujton se një brez i tërë durrsakësh, pavarësisht sistemit ku jetuan dhe punuan, arritën të ruajnë ndershmërinë, etikën dhe krenarinë njerëzore. Ishin njerëz, që nuk e përdorën detyrën për përfitime personale, por si mundësi për të shërbyer. Pikërisht për këtë arsyje edhe sot, emrat e tyre përmenden me respekt.

Në kohët që jetojmë, kur shpesh vlerat ngatërrohen me zhurmën dhe dukjen, kjo foto sjell tjetër model, atë të njerëzve të qetë, të kulturuar, të përkushtuar dhe të besueshëm. Miqësia e tyre, nuk ishte formale. Ishte miqësi e provuar në vite, në punë, në jetën shoqërore dhe në respektin reciprok.

Durrësi ka pasur gjithmonë fatin, të nxjerrë njerëz me personalitet.

Këta gjashtë burra, janë pjesë e atij identiteti qytetar, që e bëri këtë qytet të nderuar. Brezi i tanishëm, duhet të ndjehet krenar që vjen pas njerëzve të tillë. Sepse koha kalon, sistemet ndryshojnë, postet harrohen, por qytetaria, ndershmëria dhe emri i mirë mbeten përjetë.

Bujar Qesja

Durrës: 26 maj 2026

Në pamje, ulur nga e majta: Fatbardh Dedja, Shpendi Topollaj, Agim Këlliçi, Lutfi Shehu. Në këmbë nga e majta: Sulejman Cërloj dhe Sadik Sukaj.

Pallati i Kulturës Durrës, viti 1984.