Bashkimi Evropian ka mirëpritur letrën e Presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky për negociata të drejtëpërdrejta me Rusinë, ndërsa Presidenti francez Emmanuel Macron theksoi se tani ka ardhur koha për të rifilluar bisedimet me Moskën për të ecur përpara drejt paqes në Ukrainë.

“Ne e mirëpresim thirrjen e Presidentit Zelensky për negociata të drejtpërdrejta, si dhe thirrjen e tij për armëpushim. Dhe, nga ana jonë, do t’i kujtojmë edhe një herë faktet: Ukraina dëshiron paqe, Evropa dëshiron paqe”, theksoi zëdhënësja e Komisionit Evropian, Anita Hipper, duke iu drejtuar gazetarëve në Bruksel.

Presidenti francez tha gjithashtu sot se ka ardhur koha për rifillimin e bisedimeve për të arritur një paqe të qëndrueshme midis Ukrainës dhe Rusisë.

Dëshira ime është që të shikojmë drejt së ardhmes dhe të flasim se si do të arrijmë të riorganizojmë një dialog për të ndërtuar një armëpushim dhe paqe. Dhe besoj se tani është koha, duke pasur parasysh zhvillimin e situatës”, tha ai në Tivat të Malit të Zi, me rastin e samitit të BE dhe vendeve të Ballkanit.

Presidenti francez ftoi gjithashtu në Paris, me rastin e festës kombëtare franceze të 14 korrikut, vendet që kontribuojnë në koalicionin e vullnetarëve të krijuar për të ofruar garanci sigurie për Ukrainën.

Kujtojmë që Zelensky, në letrën e tij të hapur drejtuar presidentit rus, kërkin një takim që synon t’i japë fund luftës në Ukrainë. Kremlini konfirmoi të enjten se e kishte marrë letrën, duke shtuar sot se Putini ishte informuar për të.