Shkolla 9-vjeçare “Shaqe Mazreku” në Durrës zhvilloi ceremoninë e përfundimit të arsimit bazë për nxënësit e klasave të nënta. Në një atmosferë festive dhe plot emocione, tre klasat e këtij cikli parakaluan para prindërve, mësuesve dhe të afërmve të mbledhur për të ndarë së bashku këtë moment të rëndësishëm të jetës së tyre shkollore.

Ceremonia, e cila po kthehet në një traditë të përvitshme në shumë shkolla 9-vjeçare, u shoqërua me aktivitete artistike dhe mesazhe falënderimi. Nxënësit kishin përgatitur fjalime të veçanta kushtuar mësueseve kujdestare, duke vlerësuar mbështetjen dhe përkushtimin e tyre gjatë viteve të shkollimit.

Drejtoresha e shkollës, Anila Gashi, falënderoi prindërit për bashkëpunimin dhe mbështetjen e vazhdueshme, ndërsa uroi nxënësit për suksese në rrugëtimin e tyre të mëtejshëm akademik.

Emocionet nuk munguan as te mësuesit. Një nga mësueset kujdestare, Alma Bakaj, tha se kjo ceremoni përmbyll një rrugëtim katërvjeçar me nxënësit, gjatë të cilit janë ndërtuar marrëdhënie të forta dhe kujtime të paharrueshme.

Pas përfundimit të ceremonisë, nxënësit do të përqendrohen te provimet kombëtare, të cilat nisin më 19 qershor me provimin e Gjuhës Shqipe, vijojnë më 25 qershor me Matematikën dhe përmbyllen më 30 qershor me Gjuhën e Huaj. Për ta, kjo është një etapë e re drejt arsimit të mesëm dhe sfidave që i presin në të ardhmen.